Në ditën e përvjetorit Universiteti i Prishtinës zgjeron bashkëpunimin me Universitetin Bujqësor të Tiranës
Universiteti i Prishtinës në 56 vjetorin e themelimit nënshkroi memorandum mirëkuptimi me Universitetin Bujqësor të Tiranës.
Me memorandum parashikohet krijimi i një kuadri institucional të bashkëpunimit të bazuar në interesa të dyanshme. Janë paraparë gjithashtu shkëmbime dhe programe kërkimore ku do të përfshihen studentë, profesorë, personeli akademik dhe hulumtuesit shkencorë të të dy universiteteve.
Gjithashtu me këtë marrëveshje pritet të ketë edhe promovim të studiuesve të rinj dhe aplikim e zbatim të projekteve të përbashkëta shkencore.
Memorandumin në emër të UP-së e nënshkroi rektori, prof. Arben Hajrullahu, ndërsa për Universitetin Bujqësor të Tiranës firmën në dokumente e vuri rektori, prof. Fatbardh Sallaku.
Në takim u theksua që memorandumi nuk duhet të mbetet vetëm në letër, por të zbatohet edhe në praktikë, ndërsa u konstatua se universitetet duhet ta kuptojnë rolin dhe pozitën e tyre dhe të bashkëpunojnë sa më shumë që të jetë e mundur për të qenë institucione të kohës në të cilën po jetojmë.
Nënshkrimi i memorandumeve të bashkëpunimit në ditën më të rëndësishme të UP-së, po bëhet tashmë traditë. Vitin e kaluar në 55 vjetorin e themelimit u nënshkruan tri memorandume bashkëpunimi.
Universiteti i Prishtinës, vetëm gjatë vitit 2025 nënshkroi mbi 100 marrëveshje bashkëpunimi me universitete jashtë vendit, institucione e organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe vendore, duke tejkaluar dukshëm parashikimet me Planin Strategjik 2023-2025.