Në Departamentin e Antropologjisë në UP, mbahet ligjëratë nga hulumtuesi francez, Dr. Lerin

Në Departamentin e Antropologjisë në UP, mbahet ligjëratë nga hulumtuesi francez, Dr. Lerin

Administrator Administrator 16 nëntor 2018 Arkivuar

Në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, u mbajt ligjëratë nga Dr. François Lerin nga Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillimin e Agroekologjisë (AIDA), i cili foli për hulumtimet e tij dyvjeçare në treguesin gjeografik të djathit të Sharrit.

Gjatë kësaj ligjërate, ai tregoi për llojet e florës dhe faunës në Sharr dhe për të gjitha praktikat profesionale, ekonomike dhe kulturore të procesit të prodhimit të djathit të Sharrit nga blegtorët lokalë.

Pjesë e kësaj ligjërate ishin profesorë dhe studentë të Departamentit të Antropologjisë, Sociologjisë si dhe nga Departamenti i Shkencave Politike në UP.

Kjo ligjëratë u përmbyll me diskutim të hapur edhe nga ana e studentëve të UP-së, të cilët ishin të interesuar të dinin më shumë rreth potencialit të studimit të produkteve me vlera të larta natyrore dhe bashkëpunimit të nevojshëm mes shkencave shoqërore dhe atyre natyrore në këtë drejtim.

Dr. Lerin punon në projekte të mëdha hulumtuese që kanë të bëjnë me agroekologjinë dhe bujqësinë e vlerave të larta natyrore në rajonin e Mesdheut dhe në Ballkan. Së fundi, është i interesuar në produktet vendore të Kosovës, përkatësisht në produktet blegtorale të bjeshkëve të Sharrit.

Ai ishte i ftuar nga Departamenti i Antropologjisë, i cili çdo fundmuaj fton profesorë nga vende të ndryshme evropiane për të ligjëruar para studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.