Memorandum i UP-së me Fondacionin „Vesel dhe Nafije Latifi” për bursa studentore

Memorandum i UP-së me Fondacionin „Vesel dhe Nafije Latifi” për bursa studentore

Administrator Administrator 12 dhjetor 2025 Arkivuar

Fondacioni „Vesel dhe Nafije Latifi” dhe Universiteti i Prishtinës nënshkruan një memorandum mirëkuptimi, me anë të të cilit mundësohet ndarja e 40 bursave vjetore për studentët e vitit të parë dhe të dytë të Universitetit të Prishtinës.

Sipas memorandumit, bursat, secila në vlerë prej 500 eurove, do të ndahen nga Fondacioni përgjatë një periudhe dhjetëvjeçare (2025–2035), duke përfaqësuar një investim të rëndësishëm financiar dhe moral në mbështetje të të rinjve dhe arsimit publik në Kosovë.

Fondacioni „Vesel dhe Nafije Latifi” është themeluar për nder të profesorit të drejtimit penal në Fakultetit Juridik, prof. Vesel Latifi, i cili ka lënë pas një trashëgimi të bujshme akademike dhe njerëzore. Gjatë karrierës së tij ka botuar shumë libra dhe punime shkencore, duke kontribuuar thellësisht në zhvillimin e jurisprudencës dhe edukimin e brezave të juristëve në Universitetin e Prishtinës e përtej.

Themelimi i fondacionit nga znj. Nafije Latifi synon të vazhdojë punën, vlerat dhe kontributin që profesori Latifi ka lënë pas: integritetin akademik, përkushtimin ndaj arsimit dhe mbështetjen e talenteve të reja.

„Puna dhe jeta e profesorit Latifi kanë prekur mijëra studentë përgjatë dekadave. Ky fondacion dhe këto bursa janë mënyra më e denjë për të vazhduar trashëgiminë e tij”, u shpreh znj. Nafije Latifi gjatë nënshkrimit të marrëveshjes.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, vlerësoi lart aktin filantropik të Fondacionit dhe ndikimin e tij që pritet të ketë te studentët e UP-së.

„E mirëpresim këtë iniciativë të jashtëzakonshme dhe jemi thellësisht falënderues për mbështetjen e vazhdueshme që do të u ofrohet studentëve tanë. Ky është një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit që ndikon drejtpërdrejt në fuqizimin e rinisë dhe në cilësinë e arsimit në vend”, tha rektori Hajrullahu.

Për këto bursa kanë të drejtë të aplikojnë studentët e UP-së, ndërsa ditëve në vijim do të shpallet konkursi me kriteret dhe dokumentet që nevojiten për të qenë përfitues nga kjo mundësi.