Me koncert studentët e Fakultetit të Arteve shënojnë themelimin e 50 vjetorit të UP-së
Studentët e Departamentit të Muzikës në Fakultetin e Arteve kanë mbajtur koncert festiv, duke festuar 50-vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, aktivitet i cili u realizua në ditën e parë të “Javës së universitetit”.
E që kjo javë filloi me aktivitetet e studentëve, rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema, tha se nuk ka ndodhur rastësisht.
“Ky është aktiviteti i dytë i studentëve, aktivitet në ditën që po shënon nisjen e ‘Javës së universitetit’ dhe kjo nuk është bërë rastësisht. Me këtë koncert, dëshirojmë të përçojmë festën te të gjithë ju në këtë jubile të rëndësishëm për vendin”, tha rektori Dema.

Njëra ndër pianistet e ardhshme, Mesila Ibrahimi, tha se ka qenë nder dhe kënaqësi që të luajë në këtë ceremoni.
“Ky është një koncert që e kemi organizuar për nder të 50-vjetorit të Universitetit të Prishtinës. Është një ndjenjë shumë e mirë të performosh në këtë koncert në nder të 50-vjetorit, po gjithashtu është edhe një përgjegjësi mjaft e madhe”, tha Melisa, studente e UP-së.
"Java e universitetit" nisi dje dhe do të zgjasë deri më 15 shkurt 2020, ditë e cila shënon zyrtarisht themelimin e Universitetit të Prishtinës.