Me ambasadorin e Irlandës diskutohen mundësitë e projekteve dhe programeve të përbashkëta mes UP-së dhe universiteteve irlandeze

Me ambasadorin e Irlandës diskutohen mundësitë e projekteve dhe programeve të përbashkëta mes UP-së dhe universiteteve irlandeze

Administrator Administrator 3 dhjetor 2025 Arkivuar

Në një takim në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës me ambasadorin jorezident të Irlandës në Kosovë, shkëlqesinë e tij, Ragnar Almqvist, u shqyrtuan mundësitë e forcimit të bashkëpunimit në mes të UP-së dhe universiteteve nga Irlanda. 

Gjatë takimit u përmend dhe u përkrah nga drejtuesit e UP-së dhe ambasadori Almqvist, edhe ideja e avancimit të programeve në fushat e studimeve të paqes dhe integrimeve evropiane, duke marrë si shembull të mirë ballafaqimin e shtetit të Irlandës me të kaluarën. 

U fol edhe për zhvillimin e partneriteteve të UP-së me universitete irlandeze në fushën e arsimit të përbashkëte të integruar.  Si mundësi e mirë u vlerësua edhe themelimi i një shkolle dimërore për studime të paqes në Universitetin e Prishtinës, në të cilën do të ligjëronin profesorë të UP-së dhe universiteteve nga Irlanda. 

Ambasadori Ragnar Almqvist u prit nga rektori, prof. Arben Hajrullahu dhe prorektori për mësimdhënie, çështje të personelit akademik dhe botime, prof. Adem Beha. 

UP-ja ka tashmë një traditë bashkëpunimi me universitetet nga Irlanda. Ne Departamentin e Shkencës Politike të Fakultetit Filozofik, para shumë kohësh ishte jetësuar programi i masterit „Shoqëri Civile dhe Zhvillim Lokal”, një rezultat i bashkëpunimit të Universitetit të Prishtinës me Universitetin Galway të Irlandës dhe atij të Gracit të Austrisë.

Gjithashtu, profesori i parë nga diaspora akademike që u afiliua edhe me UP-në në bazë të Rregullores për transferim, programin ‘Brain Gain’ dhe rastet e nevojës së jashtëzakonshme të rekrutimit të personelit akademik, të miratuar nga Senati i UP-së më 30 prill 2025, prof, Gëzim Visoka, punon në Universitetin e Qytetit të Dablinit (DCU). 

Ndërkombëtarizimi, rrjetëzimi dhe fuqizimi i bashkëpunimit ndërkombëtar, krahas transparencës, meritokracisë e llogaridhënies, janë disa nga parimet më të rëndësishme të menaxhmentit të UP-së.