Mbillen 115 fidanë dhe 90 lule në oborrin e rektoratit dhe kampusin universitar të UP-së

Mbillen 115 fidanë dhe 90 lule në oborrin e rektoratit dhe kampusin universitar të UP-së

Administrator Administrator 16 shtator 2025 Arkivuar

Oborri i Rektoratit të Universitetit të Prishtinës dhe kampusi universitar duken më mirë estetikisht dhe janë më të gjelbëruar pasi u mbollën 115 fidanë, 90 lule dhe u vendosen dy ulëse solare.

Mbjellja e luleve dhe fidanëve përfundoi sot pas një ceremonie në kuadër të „Javës Evropiane të Lëvizshmërisë" dhe „Ditës pa Makina" të organizuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Gjatë ngjarjes, prorektorja për buxhet, financa dhe bashkëpunim me sektorin publik e privat, prof. Albana Berisha-Qehaja, duke vlerësuar lart që ky aktivitet shoqërohet nga një debat me studentët për zhvillimin e qëndrueshëm mjedisor, tha se „Çdo fidan është një premtim për ajër më të pastër, hije më të freskët dhe një mjedis më të këndshëm për studentët, stafin dhe vizitorët tanë”.

Para të pranishmëve folën edhe ministri në detyrë i infrastrukturës, Hysen Durmishi dhe kryetari i Organizatës „Marakli t'Bicikllave", Berat Rakovica. Më pas prorektorja Albana Berisha-Qehaja, bashkë më ministrin në detyrë Durmishi, mbollën një bli në hapësirat e gjelbra të rektoratit. Aty është vendosur edhe një ulëse solare.

Në ngjarjen e organizuar për mbrojtje të mjedisit, morën pjesë edhe prorektorja për zhvillim institucional, cilësi dhe çështje studentore, prof. Majlinda Gjelaj, prorektori për kërkime shkencore, projekte dhe inovacion, prof. Avni Hajdari, sekretari i përgjithshëm, Besnik Loxha dhe zyrtarë, profesorë e studentë të Universitetit të Prishtinës, institucioneve shtetërore dhe organizatave joqeveritare.

Gjatë këtij aktiviteti në oborrin e rektoratit dhe kampusin universitar janë mbjellë nga 30 lule të llojeve hedera, berberis dhe sedum, nga 50 fidanë shkoze e frashëri dhe 15 blirë. Gjithashtu një ulëse tjetër solare është vendosur te Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore.

Menaxhmenti i UP-së me në krye rektorin, prof. Arben Hajrullahu, është i përkushtuar në vazhdimësi që hapësirat e Universitetit të Prishtinës të jenë sa më të gjelbëruara dhe të këndshme për t’u parë dhe qëndruar në to.