Kongresi rreth ndryshimeve klimatike: Universitetet dhe akademia duhet ta mbrojnë planetin
Në Kongresin e Katërt Ndërkombëtar për Financa, Ekonomi dhe Politika të Qëndrueshme, të organizuar bashkërisht nga Universiteti Kirklareli dhe Universiteti i Prishtinës, me mbështetje të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, u tha se planeti duhet mbrojtur edhe për gjeneratat e ardhshme.
Në hapje të kongresit u konstatua se gjithçka që bëjmë sot në lidhje me ruajtjen e planetit, do ta formësojë të ardhmen, derisa u vlerësua se duhet ndërprerë qasjen dëmtuese ndaj shtëpisë sonë të përbashkët.
Universitetet dhe akademia u tha se kanë rolin kryesor për të ardhmen e njerëzimit dhe vetëdijesimin kundër shkatërrimit të natyrës dhe ndotjes, pasi ndotja nuk mund të ndalet nëpër kufij, por shpërndahet gjithandej. Doli përfundimi se edhe zhvillimi i nevojshëm ekonomik mund e duhet të bëhet duke mbrojtur ambientin.
Para të pranishmëve, profesorë e ekspertë nga të dy universitetet, studentë të UP-së e personalitete të jetës akademike, institucionale e politike, folën rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, rektorja e Universitetit Kirklareli, prof. Rengin Ak, rektorja e Universitetit të Mitrovicës, prof. Nurten Deva dhe rektori i Universitetit të Tetovës, prof. Jusuf Zejneli.
Fjalime mbajtën edhe ambasadori i Republikës së Turqisë në Kosovë, shkëlqesia e tij, Tunç Angılı dhe ministri në detyrë i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka.
Gjatë kongresit që do të zhvillohet deri më 1 nëntor, janë paraparë 13 sesione plenare me tema që lidhen me zhvillimin ekonomik, ndryshimet klimatike dhe ndotësit e ndryshëm.
Sot Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti Kirklareli nënshkruan memorandum bashkëpunimi.