Kongresi i Inxhinierisë Mekanike: Mundësi për lidhje të studimeve me tregun e punës dhe industrinë

Kongresi i Inxhinierisë Mekanike: Mundësi për lidhje të studimeve me tregun e punës dhe industrinë

Administrator Administrator 10 shtator 2025 Arkivuar

Kongresi i parë Ndërkombëtar i Inxhinierisë Mekanike, që nisi sot e do të vazhdojë edhe nesër, ka bërë bashkë profesorë, profesionistë, ndërmarrës e studentë vendas e ndërkombëtarë që do të diskutojnë e ligjërojnë për studimet, tregun e punës dhe industrinë në kohën e inteligjencës artificiale.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, duke përshëndetur të pranishmit, në fjalën e tij hapëse përmendi angazhimet e shumta që nga marrja e detyrës për lidhjen e studimeve me nevojat e industrisë, tregut të punës dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

 Rektori tregoi se për t’u bërë ballë nevojave dhe kërkesave nga zhvillimi i hovshëm teknologjik, në UP është themeluar Qendra për Inteligjencë Artificiale, AIUP.

Në kongresin e organizuar nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Prishtinës, foli edhe dekani i këtij fakulteti, prof. Mirlind Bruçi. Ai këtë ngjarje të rëndësishme e cilësoi një hapësirë për të ndarë dije, për të ndërtuar bashkëpunime dhe për të formësuar të ardhmen. Të pranishmëve iu drejtuan me fjalët e tyre edhe drejtori i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), Zef Dedaj dhe profesori Arbnor Pajaziti që është president i Kongresit.

Kongresi vazhdoi me ligjërata të ndryshme për fushën inxhinierike nga studiues, shkencëtarë e profesorë të Universitetit të Prishtinës, universiteteve të rajonit, Evropës, ShBA-së e Japonisë. Sot e nesër pritet të paraqiten 19 prezantime, ndërsa do të zhvillohet edhe një panel diskutimi dhe një punëtori, në të cilat risitë nga inxhinieria mekanike do t’i tregojnë personeli akademik dhe përfaqësuesit e industrisë.