Konferenca e Rektorëve: Thellim bashkëpunimi dhe hapa konkretë për ndërkombëtarizimin e kërkimit shkencor dhe arsimit të lartë të Kosovës

Konferenca e Rektorëve: Thellim bashkëpunimi dhe hapa konkretë për ndërkombëtarizimin e kërkimit shkencor dhe arsimit të lartë të Kosovës

Administrator Administrator 26 shtator 2025 Arkivuar

Në mbledhjen e Konferencës së Rektorëve të Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë në Republikën e Kosovës, të zhvilluar në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, u nënshkrua marrëveshje bashkëpunimi mes tetë universiteteve publike të vendit. 

Me marrëveshjen e nënshkruar, Universiteti i Prishtinës, Universiteti „Ukshin Hoti” i Prizrenit, Universitetit „Haxhi Zeka” i Pejës, Universiteti „Isa Boletini” i Mitrovicës, Universiteti „Kadri Zeka” i Gjilanit, Universiteti „Fehmi Agani” i Gjakovës, Universiteti i Shkencave të Aplikuara të Ferizajt dhe Kolegji Publik Ndërkombëtar i Biznesit në Mitrovicë, u zotuan për thellimin e bashkëpunimit akademik, shkencor-kërkimor, arsimor dhe kulturor në bazë të parimeve të digjitalizimit në kohën e inteligjencës artificiale. 

Marrëveshja parasheh gjithashtu lehtësimin e shkëmbimit të profesorëve e studentëve, organizimin e aktiviteteve të përbashkëta dhe mundësinë e nismave të veçanta për të mirën e arsimit të lartë.

Në mbledhje, kryesuesi i Konferencës së Rektorëve, rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, ia dorëzoi detyrën kryesuesit të ri të Konferencës së Rektorëve, prof. Mentor Alishanit që është rektor i Universitetit „Ukshin Hoti” të Prizrenit, ndërsa zëvendës i tij do të jetë prof. Armand Krasniqi, rektor i Univeristetit „Haxhi Zeka” të Pejës. Mandati i tyre zgjat 1 vit, kurse ndryshimet në udhëheqjen e kësaj konference bëhen me rotacion. 

Rektorët e universiteteve publike bënë hapa konkretë edhe për fuqizimin e ndërkombëtarizimit të kërkimit shkencor dhe arsimit të lartë të Kosovës, derisa diskutuan edhe për regjistrimin e studentëve në vitin akademik 2025/’26 dhe akreditimin e programeve. 

Konferenca e Rektorëve është konsoliduar shumë si institucion, duke krijuar të gjithë mekanizmat e funksionimit dhe Rregulloren e punës. Kjo konferencë do të ketë edhe uebfaqen e saj zyrtare.