Konferenca e Fakultetit të Edukimit: Kërkimi i suksesit të arsimit në epokën e globalizuar

Konferenca e Fakultetit të Edukimit: Kërkimi i suksesit të arsimit në epokën e globalizuar

Administrator Administrator 26 qershor 2025 Arkivuar

Në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës nisi sot e do të vazhdojë edhe nesër Konferenca Ndërkombëtare e Kosovës për Kërkime Arsimore (KICER) 2025.

Konferenca më e madhe në Ballkan që bën bashkë për diskutim e shkëmbim përvojash njohësit vendas e ndërkombëtarë të arsimit, filloi me fjalët hapëse të organizatorëve dhe vijoi me fjalimet kryesore të mysafirëve.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, konferencën e cilësoi si një ngjarje shumë të rëndësishme, pasi hulumtimet e saj në thelb e kanë pyetjen ku jemi dhe kah po shkojmë në formësimin dhe jetësimin e politikave që kanë të bëjnë me edukimin e gjeneratave të tanishme, po edhe të atyre që po vijnë.

Dekani i Fakultetit të Edukimit, prof. Blerim Saqipi, konferencën ndërkombëtare që sivjet zhvillon edicionin e saj të pestë, e konsideroi një ndërtim të kulturës hulumtuese e bashkëpunuese në Kosovë.

Një ligjëratë në lidhje me hulumtimet arsimore që duhet të jenë në shërbim të arsimimit dhe shoqërisë, e mbajti presidentja e Shoqatës Evropiane për Hulumtime në Arsim (European Educational Research Association, EERA), prof. Marit Honerød Hoveid. Ajo bëri thirrje për përkujdesje të veçantë ndaj hulumtuesve të rinj arsimorë.

Gjatë konferencës që sivjet trajton temën „Arsimi në një Epokë të Globalizuar: Sfidat dhe Mundësitë për Mësimdhënie dhe Mësimnxënie Transformuese", do të prezantohen 100 punime shkencore të përzgjedhura, do të organizohen dy punëtori dhe do të mbahen katër fjalime kryesore.