Gazetarët e mediave të njohura austriake njoftohen me arritjet dhe sfidat e UP-së

Gazetarët e mediave të njohura austriake njoftohen me arritjet dhe sfidat e UP-së

Administrator Administrator 6 tetor 2025 Arkivuar

Një delegacion austriak me zyrtarë nga Ministria Federale për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare, gazetarë dhe përfaqësues të Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA), u njoftuan me historikun, të tashmen dhe vizionin për të ardhmen e Universitetit të Prishtinës.

Gazetarët e mediave të njohura austriake, televizionit ORF, agjencisë APA dhe gazetës  „Kurier”, morën informata për të kaluarën e Universitetit të Prishtinës, por edhe për rezultatet, sfidat dhe synimet e UP-së.

Gjatë bashkëbisedimit nga drejtuesit e Universitetit të Prishtinës u theksua ndihma e vazhdueshme para dhe pas luftës që universitetit më të rëndësishëm të Kosovës dhe arsimit të lartë të vendit i erdhi nga Austria.

Austria pranoi diplomat e shkollave të mesme të lëshuara nga sistemi arsimor i Kosovës, kur ky sistem funksionoi nëpër shtëpi-shkolla gjatë aparteideit të viteve’90, pas largimit të dhunshëm të nxënësve e studentëve shqiptarë nga objektet mësimore.

Më tutje me gazetarët u fol për planet e UP-së: rritjen e mobilitetit të brendshëm, programeve të përbashkëta mes njësive akademike; fuqizimin e mobilitetit të jashtëm, sjelljen e sa më shumë profesorëve dhe studentëve nga universitetet e njohura në Prishtinë dhe anasjelltas dhe transformimin digjital.

Në kohën kur konkurrenca por edhe sfidat e universiteteve janë globale, u konstatua që qarkullimi i trurit; profesorë që mund të punojnë në disa institucione të arsimit të lartë, janë zgjidhja për të rritur cilësinë e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor.

Gazetarët e tri mediumeve austriake të shoqëruar nga përfaqësuesit e Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA) në Austri dhe Kosovë, Katharina Schreiber, Rita Glavitza dhe Adnan Ahmeti dhe përfaqësuesja e Ministrisë Federale për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, Ursula Heinrich, u pritën nga rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu dhe prorektori për kërkime shkencore, projekte dhe inovacion, prof. Avni Hajdari.

Bashkëbisedimi i rektorit Hajrullahu me gazetarët austriakë ditëve në vijim pritet që të pasqyrohet në mediat që ata përfaqësojnë.