Forcimi i lidhjes akademi-industri përmes të dhënave dhe trupave këshillëdhënëse

Forcimi i lidhjes akademi-industri përmes të dhënave dhe trupave këshillëdhënëse

Administrator Administrator 24 qershor 2025 Arkivuar

Në qershor 2025, Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti i Iowa-s bashkorganizuan dy ngjarje të rëndësishme për të fuqizuar reformën në arsimin e lartë dhe për të forcuar lidhjen midis akademisë dhe sektorit privat: një Punëtori mbi panelet korporative dhe reformën e kurrikulës dhe një Simpozium të të dhënave mbi strategjitë për shërbimet e karrierës dhe lidhjen me tregun e punës.

Punëtoria mbi panelet korporative dhe reformën e kurrikulës

E mbajtur më 20 qershor, punëtoria u udhëhoq nga dr. Lon Moller, ekspert nga Universiteti i Iowa-s dhe mblodhi 20 përfaqësues nga fakultete të ndryshme të Universitetit të Prishtinës, koordinatorë të cilësisë, prodekanë dhe drejtues të programeve akademike. 

Temat e trajtuara përfshinë ngritjen dhe menaxhimin e paneleve korporative, përfshirjen e komenteve nga punëdhënësit në rishikimin e kurrikulës dhe rëndësinë e përputhjes së programeve akademike me nevojat e tregut të punës. Pjesëmarrësit vlerësuan formatin interaktiv dhe shkëmbimin e përvojave konkrete, duke theksuar gatishmërinë për të aplikuar këto praktika në njësitë e tyre akademike.

Simpoziumi: Strategji të bazuara në të dhëna për shërbimet e karrierës dhe bashkëpunimin me industrinë

Më 19 qershor 2025, në hapësirat e Fakultetit të Arkitekturës, u organizua një simpozium me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga universitetet, sektori privat, organizatat studentore dhe partnerët zhvillimorë. Ngjarja u hap me fjalën përshëndetëse nga prof. Majlinda Gjelaj, prorektore për sigurimin e cilësisë, e cila nënvizoi rëndësinë e përdorimit të të dhënave në planifikimin institucional.

Në dy prezantimet kryesore, dr. Cassie Barnhardt ndau të gjeturat nga analizat mbi praktikat e internship-eve dhe qasjen e qendrave të karrierës në Kosovë, ndërsa dr. Lon Moller prezantoi rolin e paneleve korporative si ura lidhëse ndërmjet akademisë dhe tregut të punës.

Paneli i diskutimit përfshiu përfaqësues nga TIK-u, agrobiznesi, financat, studentët dhe zyrtarët e qendrave të karrierës, duke nxjerrë në pah sfidat dhe mundësitë për përgatitjen e studentëve për tregun e punës.

Të dy ngjarjet kontribuuan ndjeshëm në rritjen e vetëdijes institucionale mbi rëndësinë e vendimmarrjes së bazuar në të dhëna dhe pjesëmarrjes së industrisë në zhvillimin e programeve akademike. U diskutuan hapa konkretë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve dhe sektorit privat, me qëllim rritjen e cilësisë dhe relevancës së arsimit të lartë në Kosovë.