Fillon punimet simpoziumi “Zgjerimi i hulumtimit të edukimit në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës”

Administrator Administrator 6 qershor 2017 Arkivuar

Fakulteti i Edukimit i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në partneritet me Programin për Lidership Transformues – Bursat dhe Partneritetet, si dhe Universitetin e Indianës është organizator i simpoziumit shkencor veror “Zgjerimi i hulumtimit të Edukimit në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës”.

Ishte i pari i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Marjan Dema ai që iu drejtua të pranishmëve me fjalë përshëndetëse. Duke e shpallur të hapur Simpoziumin, ai vlerësoi lartë punën që kjo njësi akademike e Universitetit të Prishtinës po bënë. Rektori Dema shprehu falënderimet e tij edhe për partnerët që e kanë mundësuar realizimin e këtij Simpoziumi, si dhe i siguroi të pranishmit në angazhimin e tij dhe të menaxhmetit të UP-së në krijimin e kushteve më të mira në aspektin e realizimit të hulumtimeve.

Dekani i Fakultetit të Edukimit në UP, z. Ethem Ceku foli për punën që po bëhet në këtë njësi akademike, duke thënë që ndjehet krenar për stafin e këtij Fakulteti. Dekani Ceku falënderoi Rektoratin për mbështetjen e vazhdueshme që po i jep Fakultetit te Edukimit, si dhe partnerët për bashkëpunimin.

Të pranishmeve iu drejtua edhe Drejtori i Zyrës për Rritje Ekonomike në USAID, z. Brian Martalus, i cili falënderoi dekanin e Fakultetit të Edukimin për faktin që ka krijuar mundësinë e mbajtjes se një Simpoziumi të tillë, ku ka bashkuar në një vend një numër të madh të profesorëve në një vend. Fillimin e punimeve të këtij Simpoziumi e përshëndeti edhe Dr. Terrece C. Mason, dekan i Degës së Edukimit në Universitetin e Indianës, i cili përmes një videoregjistrimi u uroi punë të mbarë dhe fat pjesëmarrësve në këtë simpozium.

Qëllimi i këtij simpoziumi shkencor veror është të bëjë bashkë Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës dhe mysafiret e ftuar, për të shqyrtuar, bashkërenduar dhe lehtësuar implementimin e vazhdueshëm të Strategjisë së Hulumtimeve të Fakultetit të Edukimit (2016 – 2021). Simpoziumi, i cili i filloi punimet sot, do të jetë i hapur deri me 9 qershor 2017.