Fillon cikli i tryezave të rrumbullakëta për fuqizimin e mundësive të punësimit për studentët dhe të diplomuarit e UP-së

Administrator Administrator 13 korrik 2018 Arkivuar

Në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” u organizua tryeza me titull “Fuqizimi i mundësive të punësimit për studentët dhe të diplomuarit e Universitetit të Prishtinës”, e cila shënon edhe hapjen e ciklit të tryezave të rrumbullakëta për të diskutuar lidhur me këtë tematikë.

Në këtë tryezë të organizuar nga Qendra për Zhvillim të Karrierës dhe partnerët nga tregu i punës morën pjesë: rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema, prorektori për zhvillim dhe cilësi në UP, prof. dr. Hysen Bytyqi, drejtori i Zyrës për Zhvillim Akademik, z. Besnik Loxha, këshilltari për karrierë në Qendrën për Zhvillim të Karrierës në UP, z. Shkumbin Tafilaj, si dhe 13 përfaqësues nga institucione, kompani dhe organizata të cilat bashkëpunojnë me UP-në në synimin e ndërlidhjes së studimeve me tregun e punës.

Të pranishmëve iu drejtua me fjalë përshëndetëse rektori Dema, i cili u uroj mirëseardhjen gjithë pjesëmarrësve. Ai falënderoi përfaqësuesit nga tregu i punës për bashkëpunimin e deritanishëm me UP-në.
“Jam i lumtur që sot po realizojmë njërën ndër pikat e Planit Strategjik të UP-së, të objektives se tretë të këtij udhërrëfyesi, ku synohet realizimi i programeve studimore të kërkuara nga tregu i punës. Nisja sot e kësaj tryeze shënon një hap fillestar në fuqizimin e mundësisë së punësimit të studentëve tanë, gjatë së cilës shpresoj që do të reflektojmë se si të zhvillojmë strategji kooperative për të përmirësuar tranzicionin e studentëve në tregun e punës” tha Dema.
Rektori në bashkëbisedimin që pasoi me përfaqësuesit e tregut, i ftoi ata që tu hapin dyert studentëve të UP-së, si dhe të bashkëpunojnë me stafin e Universitetit, sepse sipas tij, ky bashkëpunim do të rezultonte me dobi të ndërsjella.

Tryeza vazhdoi me diskutimet e përfaqësuesve të tregut të punës lidhur me mundësitë e bashkëpunimit me UP-në në punësimin e studentëve dhe të diplomuarve, ku shumë nga ta veçse propozuan ide dhe projekte të reja.

Tryeza e rrumbullakët “Fuqizimi i mundësive të punësimit për studentët dhe të diplomuarit e  Universitetit të Prishtinës” është një mundësi e re komunikimi që UP dhe tregu i punës promovojnë në sigurimin e partneritetit dhe fuqizimin e mundësive të punësimit dhe zhvillimit të mëtejmë në karrierë për studentët dhe të diplomuarit e këtij Universiteti.

Ky cikël i tryezave do të vazhdoj punimet nën moton #punësueshmëria.

Kompanitë, institucionet dhe organizatat pjesëmarrëse në këtë tryeze janë:

  • ProCredit Bank
  • The HeadHunter Kosovo Branch
  • Oda Ekonomike Kosova
  • VivaFresh
  • Melita-Partners
  • Ministria e Arsimit, Shkencës  dhe Teknologjisë
  • Cacttus
  • PIA 'Adem Jashari' 
  • KOSTT - Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh.a.
  • Banka për Biznes
  • REPOWER-KOSOVO
  • CEO - Congressa and Event Organization