Fillon cikli i tryezave të rrumbullakëta për fuqizimin e mundësive të punësimit për studentët dhe të diplomuarit e UP-së

Administrator Administrator 13 July 2018 Archived

Në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” u organizua tryeza me titull “Fuqizimi i mundësive të punësimit për studentët dhe të diplomuarit e Universitetit të Prishtinës”, e cila shënon edhe hapjen e ciklit të tryezave të rrumbullakëta për të diskutuar lidhur me këtë tematikë.

Në këtë tryezë të organizuar nga Qendra për Zhvillim të Karrierës dhe partnerët nga tregu i punës morën pjesë: rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema, prorektori për zhvillim dhe cilësi në UP, prof. dr. Hysen Bytyqi, drejtori i Zyrës për Zhvillim Akademik, z. Besnik Loxha, përfaqësues nga Qendra e Karrierës në UP, si dhe përfaqësues nga 13 institucione,  kompani dhe organizata të cilat bashkëpunojnë me UP-në në synimin e ndërlidhjes së studimeve me tregun e punës.

Të pranishmëve iu drejtua me fjalë përshëndetëse rektori Dema, i cili u uroj mirëseardhjen gjithë pjesëmarrësve. Ai falënderoi përfaqësuesit nga tregu i punës për bashkëpunimin e deritanishëm me UP-në.
“Jam i lumtur që sot po realizojmë njërën ndër pikat e Planit Strategjik të UP-së, të objektives se tretë të këtij udhërrëfyesi, ku synohet realizimi i programeve studimore të kërkuara nga tregu i punës. Nisja sot e kësaj tryeze shënon një hap fillestar në fuqizimin e mundësisë së punësimit të studentëve tanë, gjatë së shpresoj që do të reflektojmë se si të zhvillojmë strategji kooperative për të përmirësuar tranzicionin e studentëve në tregun e punës” tha Dema.

Rektori në bashkëbisedimin që pasoi me përfaqësuesit e tregut, i ftoi ata që tu hapin dyert studentëve të UP-së, si dhe të bashkëpunojnë me stafin e Universitetit, sepse sipas tij, ky bashkëpunim do të rezultonte me dobi të ndërsjella.

Tryeza vazhdoi me diskutimet e përfaqësuesve të tregut të punës lidhur me mundësitë e bashkëpunimit me UP-në në punësimin e studentëve dhe të diplomuarve, ku shumë nga ta veçse propozuan ide dhe projekte të reja.

Tryeza e rrumbullakët “Fuqizimi i mundësive të punësimit për studentët dhe të diplomuarit e  Universitetit të Prishtinës” është një mundësi e re komunikimi që UP dhe tregu i punës promovojnë në sigurimin e partneritetit dhe fuqizimin e mundësive të punësimit dhe zhvillimit të mëtejmë në karrierë për studentët dhe të diplomuarit e këtij Universiteti.

Ky cikël i tryezave do të vazhdoj punimet nën moton #punësueshmëria

Kompanitë, institucionet dhe organizatat pjesëmarrëse në këtë tryeze janë:

  • ProCredit Bank
  • The HeadHunter Kosovo Branch
  • Oda Ekonomike Kosova
  • VivaFresh
  • ProCredit Bank
  • Melita-Partners
  • Ministria e Arsimit, Shkencës  dhe Teknologjisë
  • Cacttus
  • PIA 'Adem Jashari' 
  • KOSTT - Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh.a.
  • Oda Ekonomike Kosova
  • Banka për Biznes
  • REPOWER-KOSOVO