Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit: Dy punime në „Scopus” të financuara me 900 euro nga UP-ja dhe shumë aktivitete gjatë 2025-ës
Personeli akademik i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit gjatë vitit 2025 publikoi dy punime shkencore në revistat e indeksuara në „Scopus”, që u financuan nga Universiteti i Prishtinës me 900 euro.
Punimet dolën në kuartilet e kësaj platforme të njohur Q2 dhe Q4 (1 në Q2 dhe 1 në Q4).
Krahas punimeve, personeli akademik dhe studentët e FEFS-it u angazhuan fuqishëm për përhapjen, zhvillimin e vazhdueshëm dhe ndihmimin e sporteve të ndryshme të vendit, me punë të përditshme, ekspertizë, matje të paraqitjeve fizike dhe pjesëmarrje nëpër gara të ndryshme.
Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit sivjet organizoi edicionin e pestë të Konferencës Shkencore Ndërkombëtare „Sporti dhe Edukimi Fizik në Epokën e Ndryshimeve Globale: Sfidat dhe Perspektivat”.
Folës kryesorë të kësaj konference ishin prof. Antonio Tessitore nga Universiteti „Foro Italico”, njërit nga institucionet kryesore italiane për kërkimin dhe studimin e aktivitetit fizik, prof. Megan Chawansky, profesoreshë e menaxhimit sportiv në Universitetin Otterbein nga ShBA-ja, trajneri i Kombëtares së Kosovës në futboll, Franco Foda, trajneri më i mirë në botë i xhudos, Driton Kuka dhe fituesja e medaljes së parë olimpike për Kosovën, Majlinda Kelmendi.
Në kuadër të FEFS-it vepron edhe Instituti i Shkencave të Sportit që mat performancën dhe funksionalitetin e sportistëve. Këto matje institutit ia ka besuar sivjet edhe futbollisti i njohur i Kombëtares së Kosovës, Dion Gallapeni.
Studentët e Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, këto ditë morën pjesë edhe në Turneun Ndërkombëtar Studentor në Dubrovnik që u zhvillua për herë të 28-të. Ekipet e basketbollit dhe volejbollit të FEFS-it në kategoritë e femrave dhe meshkujve zunë vendet e treta.
