Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë i UP-së fiton grantin për ndërtimin e qumështores didaktike
Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë i Universitetit të Prishtinës ka fituar grantin prej 500 mijë eurove nga Fondi Rajonal i Sfidave, me të cilin do të financohet ndërtimi i një qumështoreje didaktike, që në të ardhmen do t’u ndihmojë shumë studentëve gjatë lidhjes së mësimeve teorike me praktikën.
Ky fakultet aplikoi për qumështoren në kuadër të thirrjes së katërt për propozime (RCF 4) të Fondit Rajonal të Sfidave, ndërsa do të realizojë me sukses një projekt strategjik dhe shumë të nevojshëm.
Në qumështoren didaktike që do të ndërtohet, planifikohet përpunimi i produkteve të qumështit. Ky investim përbën një hap të rëndësishëm për avancimin e infrastrukturës akademike dhe profesionale të Universitetit, duke krijuar kushte moderne për zhvillimin e ushtrimeve praktike në fushën e teknologjisë ushqimore, mjekësisë veterinare dhe drejtimeve tjera në kuadër të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë.
Qumështorja didaktike do t’u mundësojë studentëve ndërlidhjen e njohurive teorike me praktikën reale, duke rritur ndjeshëm kompetencat e tyre profesionale dhe gatishmërinë për tregun e punës.
Po ashtu, projekti pritet të forcojë bashkëpunimin me sektorin agroushqimor dhe industrinë e përpunimit të qumështit, duke krijuar hapësirë për partneritete të reja, praktika profesionale, transfer të njohurive dhe zhvillim të projekteve të përbashkëta në të ardhmen.
Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë i UP-së që dhjetë vjet fiton projekte të vazhdueshme për luftimin e viruseve në kuadër të Programit të Biosigurisë të Ministrisë Federale për Punë të Jashtme të Gjermanisë. Ky fakultet bashkë me komponentën mjekësore të ushtrisë amerikane ishte i përfshirë edhe në luftimin e viruseve dhe parazitëve të rrezikshëm në zonën e kampit ushtarak „Bondsteel”.
Fakulteti ka fituar edhe projektin në kuadër të Erasmus+ Capacity Building, që ka për qëllim reformimin e kurrikulës së mjekësisë veterinare sipas standardeve të Bashkimit Evropian. FBV-ja gjithashtu përfitoi edhe ndërtimin e një stalle të financuar nga programi IWRM-K i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe organizatës SKAT.