Fakulteti Ekonomik organizon konferencën me titull “Migracioni, diaspora dhe zhvillimi ekonomik”

Administrator Administrator 16 nëntor 2018 Arkivuar

Në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, është mbajtur konferenca e dytë ndërkombëtare shkencore me titull “Migracioni, diaspora dhe zhvillimi ekonomik” (“Migration, Diaspora and Economic Development”).

Në edicionin e dytë të kësaj konference, morën pjesë akademikë, profesorë dhe hulumtues nga universitete evropiane, regjioni dhe Kosova.

Punimet e konferencës u hapën nga rektori, prof. dr. Marjan Dema, i cili u shpreh tejet entuziast për punën e kësaj konference, për të cilën shpreson që do të organizohet edhe në vitet në vijim dhe do të shndërrohet në aktivitet tradicional i UP-së.
“Kjo konferencë është një sukses i madh edhe në rrafshin shkencor, ku muajve të fundit UP-ja ka shënuar suksese, të cilat i kanë tejkaluar edhe vetë pritjet tona, duke u ngritur lartë në databaza të rëndësishme botërore për rangimin e institucioneve të dijes dhe atyre shkencore,” tha Dema.

Rektori Dema iu uroi pjesëmarrësve një konferencë të suksesshme, teksa i ftoi që të diskutojnë dhe të shkëmbejnë përvoja, sepse, sipas tij, ajo që mund të mësohet dhe studiohet është e pafund.

Të pranishmit i përshëndeti edhe dekani i Fakultetit Ekonomik, prof. dr. But Dedaj. Ai tha që shpreson në bashkëpunimin e mëtejshëm me Universitetin “Nice Sophia Antipolis” të Francës dhe në gradimin e dyfishtë të studentëve.

Punimet e konferencës dyditore i përshëndeten edhe zëvendësministri në Ministrinë e Punëve të Brendshme, z. Izmi Zeka, profesori nga Universiteti “Cote d’Azur” i Francës, Srdjan Redzepagic, dhe përfaqësuesja nga UNDP-ja, znj. Alessandra Roccasalvo.

Punimet e prezantuara në dy ditët e kësaj konference do të publikohen në Librin e Konferencës, ndërkaq punimet e përzgjedhura do të publikohen në Revistën Shkencore “Balkan Economic Review”, me numër të ISBN: 978-9951-711-21-0, që është mundësuar falë bashkëpunimit me “University Nice Sophia Antipolis” nga Franca.

Konferenca shkencore është organizuar me mbështetjen e United Nations Development Program – UNDP.