Dr. David Bäumler nga Universiteti i Minnesotës, viziton Universitetin e Prishtinës "Hasan Prishtina”
Dr. David J. Bäumler, profesor i mikrobiologjisë molekulare dhe sigurisë mikrobiologjike të ushqimit në Departamentin e Shkencave Ushqimore dhe të Ushqyerit në Universitetin e Minnesotës , vizitoi Rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku u prit në takim nga rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema dhe prorektori për zhvillim dhe cilësi, prof. dr. Hysen Bytyqi.
Dr. Bäumler është zëvendës-koordinator i projektit të binjakëzimit mes Universitetit të Minesotës dhe Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë në UP, permes programit të USAID-it, Transformational Leadership Program – Scholarships and Partnerships.
Gjatë vizitës së tij dy javore në Kosovë, profesori David Bäumler do të zhvilloj tri seminare për të punuar me stafin akademik të Fakultetit të Bujqësisë në UP dhe të fakulteteve të tjera, me qëllim përmirësimin e shkrimit shkencor tek stafi akademik, rritjen e kapaciteteve të tyre si mentorë të studentëve dhe përmirësimin e aftësive të tyre në shkrimin e suksesshëm të propozimeve për aplikim për projekte shkencore dhe grante, si dhe të bursave studentore.
Në javën e dytë, dr. Bäumler do të punojë me anëtarët dhe studentët e FBV-së për të kryer hulumtime mbi patogjenët ushqimorë. Ai do të ndihmojë për të ngritur infrastrukturën e biologjisë molekulare për analiza të patogjenëve ushqimorë në laboratorët e mikrobiologjisë dhe sigurisë ushqimore. Në këtë fazë të projektit, ai ka sjellë disa pajisje nga Minnesota për të mbështetur dhe për të kompletuar infrastrukturën e nevojshme për analiza molekulare të patogjenëve ushqimorë.
Në takimin e zhvilluar së bashku, rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Marjan Dema falënderoi profesorin Bäumler për mbështetjen e tij në përmirësimin e procesit të mësimdhënies, krijimin e kushteve për kryerje të hulumtimeve si dhe në transferimin e njohurive për publikime shkencore tek stafi dhe studentët e UP-së.