Doli numri 3 i revistës „Kosova Anthropologica”
Në prag të festave të fundvitit është publikuar edhe numri i tretë i revistës „Kosova Anthropologica”.
Revista që botohet nga Departamenti i Antropologjisë i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, brenda faqeve të saj, kësaj here, ka një hulumtim për gjetjet më të reja arkeologjike në qytetin e lashtë të Finiqit/Phoenikes që ndodhet në jug të Shqipërisë, një studim për muzikën dhe dinamikën vllahe-arumune të migrimit në Shqipëri dhe një analizë rreth një platforme njoftimi të shqiptarëve jashtë vendit që synon lidhjet dhe martesat brenda kësaj etnie.
Në revistë gjithashtu mund të lexohet edhe recensioni për një libër që studion mendimet dhe supozimet për racën në Shqipërinë dhe shoqëritë komuniste. Ky numër i revistës është në përputhje të plotë me vizionin e saj bashkëpunues e ndërdisiplinor, pasi përmban etnomuzikologji, antropologji sociale dhe arkeologji.
Kryeredaktori i Kosova Anthropologica”, prof. Arsim Canolli, tha se revista numër pas numri po e krijon traditën e saj.
„Tani që kemi 3 vëllime, besojmë se është krijuar një traditë dhe redaksia ka konfidencë të vazhdojë tutje, duke u rritur e duke hapur edhe mundësi të reja në vitet e ardhshme, për ta avancuar antropologjinë në Kosovë e rajon", tha profesori Canolli.
Ai falënderoi autorët për besimin që punimet e tyre të botohen në revistë, gjithashtu edhe recensentët anonimë dhe redaktorët për punën e bërë, teksa tregoi se gjithçka bëhet në baza vullnetare.
„Kosova Anthropologica” në nëntor u bë pjesë e nismës globale „Open Journals Collective” (OJC), derisa me anë të kësaj reviste UP-ja u anëtarësua rrjetin evropian EDCH/DIAMAS. Kjo revistë në janar të vitit 2025 u pranua edhe në databazën e njohur botërore Directory of Open Access Journals (DOAJ), duke e vendosur aty edhe shtetin e Kosovës.