Dita e tretë e Universitetit Veror: Njohja me Prishtinën, traditat dhe ushqimin kosovar
Prishtinë, 9 korrik 2025 - Dita e tretë e Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës iu kushtua prezantimit dhe njohjes së traditave, ushqimit dhe historisë së Kosovës. Ngjarjet kryesore ishin këto:
Vizita e studentëve ndërkombëtarë nëpër objekte kulturore e historike të Prishtinës
Studentët vizitorë njohën nga afër të kaluarën dhe të tashmen e Prishtinës, duke vizituar objekte të ndryshme dhe ecur nëpër rrugët dhe sheshet e kryeqendrës.
Ata panë nga afër jetën e dikurshme të Kosovës të ruajtur në Muzeun Etnologjik, katedralen „Shën Nëna Tereze” dhe u ndalën, mes tjerash, edhe te memoriali „Heroinat”.
Mbrëmja tradicionale me muzikë folklorike dhe specialitete të kuzhinës kosovare
Pjesëmarrësit e Universitetit Veror u argëtuan me këngë e valle popullore, ndërsa shijuan specialitetet e gatimit tradicional. Ansambli “Minatori” dha një performancë të pasur vallëzimi folklorik.
Gjatë ditës, përveç ligjëratave të rregullta, në modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës e zhvilloi një ligjëratë publike profesori nga Fakulteti i Edukimit në Universitetin Boğaziçi të Turqisë, Muhamet Arican, me titullin „Përtej së Drejtës dhe së Gabuarës: Një Qasje e Re ndaj Vlerësimit Kognitiv”, derisa vazhduan të shfaqen filmat e shkurtër dhe aktivitetet tjera në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Studentor “UPward”.