Dita e tetë e Universitetit Veror: Rikthehen ligjëratat pas vikendit të ekskursioneve
Prishtinë, 14 korrik - Ligjëratat në të 16 kurset e Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës janë rikthyer fuqishëm të hënën, pas dy ditëve të shëtitjes së profesorëve dhe studentëve nëpër vende të ndryshme të Kosovës.
Gjatë ditës, profesorët që jepnin mësim në disa nga këto kurse dhe studentët pjesëmarrës në to, u vizituan nga prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, prof. Rozafa Basha, prorektorja për buxhet, financa dhe bashkëpunim me sektorin publik e privat, prof. Albana Berisha-Qehaja dhe zyrtarja e Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës, Saranda Krasniqi.
Pasdite, profesori i Shkollës së Gazetarisë dhe Komunikimit Masiv në Universitetin Aristoteli të Selanikut, Nikos Panagioutou, mbajti një ligjëratë të hapur për publikun me titullin „Ndryshimi i Madh: Përtej Sallave të Ligjëratave — Rishikimi i Rolit të Universiteteve në Epokën e Njohjes"
E mbajtur në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës, ligjërata mblodhi studentë, profesorë dhe mysafirë nga profile të ndryshme për të reflektuar sfidat dhe mundësitë me të cilat përballet arsimi i lartë në një kohë të transformimit të shpejtë teknologjik dhe njohës. .
Profesori grek që edhe më herët ka qenë pjesë e Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës, sivjet po e mban një kurs të përbashkët me profesoreshën e Departamentit të Gazetarisë në Fakultetin e Filologjisë, Remzije Shahini-Hoxha për menaxhimin e rrjeteve sociale dhe krijimin e përmbajtjeve që mbajnë audiencën të lidhur për to.
Nesër Universiteti Ndërkombëtar Veror i Prishtinës vazhdon me aktivitetet e përditshme mësimore, kulturore e argëtuese.