Dita e nëntë e Universitetit Veror: Ligjërata, vrojtim qielli dhe mbrëmje me ushqim e muzikë

Dita e nëntë e Universitetit Veror: Ligjërata, vrojtim qielli dhe mbrëmje me ushqim e muzikë

Administrator Administrator 16 korrik 2025 Arkivuar

Prishtinë, 15 korrik – Në ditën e nëntë të Universitetit Veror vijuan ligjëratat e përditshme të paradites pati edhe një ligjëratë të hapur për publikun, derisa u zhvilluan edhe aktivitete tjera kulturore, sociale e argëtuese. 

Ligjërata e profesorit japonez Kohei Arai 

Profesori në Fakultetin e Shkencave dhe Inxhinierisë së Universitetit të Sagas në Japoni, Kohei Arai, zhvilloi sot një ligjëratë të hapur me titullin „Evolucioni i Inteligjencës Artificiale dhe Zbatimi i saj në Analitikën Parashikuese dhe Analizat e të Dhënave Masive për Biznesin”. 

Profesori Arai për të njëjtat çështje po ligjëron në Universitetin Ndërkombëtar Veror të Prishtinës bashkë me profesorin e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Arbnor Pajaziti, ndërsa pak ditë më herët kishte thënë se Kosova dhe Universiteti i Prishtinës janë shtëpia e tij e dytë. 

Takimi me studentët e Kolegjit Universitar të Londrës 

Prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, prof. Rozafa Basha, u takua me studentë të Kolegjit Universitar të Londrës dhe ata nga diaspora. 

Në një takim shumë miqësor u diskutua rreth gjetjes së mënyrave për shtim bashkëpunimi, sidomos për shkëmbim përvojash e dijesh mes studentëve dhe profesorëve të të dy institucioneve të arsimit të lartë. 

Prorektorja Basha i porositi studentët mysafirë që ta promovojnë UP-në dhe Universitetin Veror te kolegët, profesorët dhe menaxhmenti i Kolegjit Universitar të Londrës. 

Vizita në Observatorin e Prishtinës 

Pjesëmarrësit e Universitetit Veror më pas e vizituan Observatorin e Prishtinës që rifilloi punën në vitin 2022, ndërsa është i vendosur në kompleksin e ndërtesave të Pallatit të Rinisë dhe Sportit. Në orët e vona të mbrëmjes nga kjo hapësirë ata e vrojtuan qiellin me teleskop.

Mbrëmja ndërkombëtare me ushqim dhe muzikë

Mbrëmja ndërkombëtare me ushqim dhe muzikë e ktheu oborrin e Rektoratit në një skenë të gjallë takimesh, ku pas një dite plot ligjërata studentë e profesorë vendas e ndërkombëtarë u relaksuan mes aromave gatimesh, pijeve dhe tingujve të muzikës së interpretuar nga profesor Dukagjin Muhaxherit me bendin e tij, pasi festa u hap me një numër elegant të gjimnastikës ritmike nga një studente e Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sporteve. Ambasadat e Hungarisë e Italisë, si edhe organizata gjermane DAAD, vendosën stenda informuese mbi bursa studimi dhe mundësi shkëmbimesh. 

Nesër Universiteti Veror vazhdon me të gjitha aktivitetet e planifikuara: edukative, kulturore dhe sportive.