Dita e 11-të e Universitetit Veror: Ligjërata, punëtori dhe darkë lamtumirëse

Dita e 11-të e Universitetit Veror: Ligjërata, punëtori dhe darkë lamtumirëse

Administrator Administrator 18 korrik 2025 Arkivuar

Prishtinë, 17 korrik – Në ditën e njëmbëdhjetë të Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës, u organizua një punëtori, një ligjëratë e hapur dhe mësimi i paradites në të 16 kurset.

Profesoresha italiane e Departamentit të Shkencës Politike në Universitetin e Napolit „Federico II”, Maria Iannario, mbajti një punëtori me titullin „Nga të Dhënat drejt Veprimit: Pasiguria në Kërkime dhe Dialogu me Industrinë”.

Në punëtorinë e financuar nga KUSA dhe ambasada amerikane mori pjesë edhe profesoresha Claudia Tarantola. Punëtoria bëri bashkë akademikë dhe përfaqësues të industrisë për të diskutuar rolin e të dhënave në vendimmarrje, sfidat e pasigurisë në të dhëna ordinare, si dhe për të thelluar bashkëpunimin mes kërkimit shkencor dhe sektorit privat.

Profesoresha Iannario së bashku me kolegen e saj nga Fakulteti i Ekonomisë i Universitetit të Prishtinës, prof. Albulena Shala, gjatë tërë Universitetit Veror mbajtën kurs të përbashkët i cili lidhej me analizimin e të dhënave në ekonomi dhe përdorimin e programeve kompjuterike dhe teknologjisë së avancuar që mundësojnë shërbimet financiare dhe bankare.  

Në të njëjtën kohë e në një ambient tjetër të UP-së, profesori i Shkencës Politike në Universitetin Kobes të Japonisë, Tosh Minohara, mbajti një ligjëratë të hapur me temën „Ku po Shkon Indo-Pacifiku? Përgatitjet për një Botë Post-Pax Americana Shikuar nga Perspektiva e Japonisë”.

Edhe profesori Minohara pati kurs të përbashkët në Universitetin Veror me profesorin e Fakultetit Filozofik, Sabri Kiçmari. Të dy ligjëruan për politikën e jashtme dhe të sigurisë së Japonisë në 150 vjetët e fundit.

Pasdite profesori Gentrit Berisha që sivjet mbajti kursin për lidershipin e gjeneratës z, njerëzve të kohës digjitale, të lindur e të rritur në periudhën e internetit, me studentët e tij të ulur në formë rrethi në oborrin e Rektoratit të UP-së diskutoi për tema të ndyshme të përditshmërisë së jetës njerëzore.

Nesër me një ceremoni solemne do të përmbyllet aktiviteti kryesor i ndërkombëtarizimit të UP-së.