Diplomojnë dhe betohen 32 doktorë të shkencës të UP-së

Diplomojnë dhe betohen 32 doktorë të shkencës të UP-së

Administrator Administrator 12 shkurt 2026

Në një ceremoni solemne të organizuar në amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare kanë diplomuar 32 doktorë të rinj të shkencës të Universitetit të Prishtinës.

Ceremoninë e diplomimit e udhëhoqi prorektori për kërkime shkencore, projekte dhe inovacion, prof. Avni Hajdari, ndërsa rektori i UP-së, prof. Arben Hajrullahu ua ndau diplomat dhe i shpalli doktor shkence të diplomuarit.

Rektori Hajrullahu në fjalimin e tij u dëshiroi doktorëve të rinj punë të mbarë dhe kryerje të detyrave të tyre me nder, dinjitet e përkushtim dhe duke zbatuar standardet më të larta akademike dhe etike. Gjithashtu, gjatë ceremonisë u falënderuan edhe mentorët e temave të doktoratës dhe anëtarët e komisioneve vlerësuese.

„Puna jonë fillon me pyetje. Madhështorja është se sa më shumë që thellohemi në disiplinat tona shkencore, jemi të vetëdijshëm, sesa pak dimë. Ne në UP jemi shumë të lumtur që po tentojmë bashkërisht që ta zëmë hapin me kohën në të cilën po jetojmë”, tha rektori Hajrullahu.

Më pas, për herë të parë në histori të UP-së u bë betimi i doktorëve të shkencës. Këta doktorë u ngritën në këmbë dhe nën udhëheqjen e rektorit përsëritën tekstin e betimit që afirmon parimet më të larta të dijes, kërkimit shkencor dhe etikës akademike. Ceremonia e betimit përfundoi me himnin akademik „Gaudeamus Igitur”.

Në emër të doktorëve të rinj të shkencës së UP-së, të pranishmit i përshëndeti doktorja e re e shkencës, Donika Elezkurtaj. „Doktoratura nuk është fundi një rruge është fillimi i një përgjegjësie shumë më të madhe, për ta vënë dijen në shërbim të shoqërisë. Sot nuk marrim vetëm një titull, sot marrim një mision”, tha Elezkurtaj.

Nga dita e sotme doktorë të rinj shkence të UP-së nga fusha të ndryshme do të jenë: Driton Tiku, Afërdita Isa-Camaj, Edona Kabashi-Kastrati, Arbër Frangu, Ariana Lukaj, Dëfrim Saliu, Donika Elezkurtaj, Edona Jahiu, Emira Bajçinca, Fatbardha Statovci, Festime Mehdiu, Serafina Lajçi, Simeana Beshi, Adriatik Avdylaj, Agnesë Ibrahimi, Albanë Gashi, Argjentë Qerimi, Bardha Mulhaxha, Kamer Brahimaj, Marigona Geci, Nermin Xhemili, Qëndresë Ibrahimi, Dijon Musliu, Edita Goranci-Haxhiu, Fatbardhë Kurti, Florie Miftari-Basholli, Genc Rukiqi, Jehona Ismajli-Kadriaj, Mjellma Rexhepi, Shkëlzen Reçica, Violeta Hyseni dhe Arbresha Beka.