Departamenti i Gazetarisë bëhet me laborator të medias

Administrator Administrator 5 korrik 2019 Arkivuar

Studentët e Departamentit të Gazetarisë të Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” tashmë kanë edhe një hapësirë, ku mund ta praktikojnë profesionin e tyre, kjo falë laboratorit të përuruar sot.

Në laboratorin “MediaLab” studentët do të kryejnë xhirimet, incizimet, montazhin dhe regjinë televizive, në kuadër të disa lëndëve të këtij programi studimor.

Për përurimin e këtij laboratori u shpreh i kënaqur edhe i pari i universitetit, prof. dr. Marjan Dema.
“Prania e këtij laboratori ia shton edhe më tepër vlerën Departamentit të Gazetarisë, që është njëri ndër departamentet, i cili, me matje të ndryshme, është vlerësuar si departamenti me shkallën më të lartë të punësueshmërisë së studentëve tanë, pas përfundimit të studimeve të tyre”, tha Dema.

Njëri ndër iniciatorët e këtij projekti, ligjëruesi Alban Zeneli, ndjehet i lumtur që ky përurim po bëhet në kohën kur UP-ja ka shpallur konkursin për studentët e rinj.

“Jam i kënaqur që këtë hapje solemne po e bëjmë në kohën kur po presim studentë të rinj dhe me këto pajisje, të cilat i kemi në dispozicion, puna praktike e studentëve tanë do të jetë në nivel më të lartë”, tha Zeneli.

Ndërsa, përfaqësuesi i Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, z. Raymond Welch, tha se është i lumtur që ambasada e vendit të tij e ka financuar këtë projekt.

Të pranishmëve në këtë ceremoni iu drejtuan dekanja e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Sejdiu – Rugova, dhe profesoresha e Departamentit të Gazetarisë, dr. phil. Remzie Shahini – Hoxhaj, te cilat u shprehën të lumtura për përurimin e MediaLab-it.  

Ndërtimi i laboratorit të medias është bërë i mundur falë një donacioni të ndarë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë si dhe një investimi që ka bërë Universiteti i Prishtinës.