Dema takon përfaqësuesit e Parlamentit Studentor – pajtohen për thellim të bashkëpunimit
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, i shoqëruar nga prorektorja për marrëdhënie ndërkombëtare në UP, prof. dr. Teuta Pustina dhe këshilltari i tij, prof. dr. Rrustem Qehaja, ka pritur në takim përfaqësues të Parlamentit të Studentëve të Universitetit të Prishtinës. Në këtë takim u diskutua për mundësitë e ndryshme të bashkëpunimit mes menaxhmentit të UP-së dhe studentëve, që së bashku të ngritin edhe më tutje cilësinë në Universitetin e Prishtinës.
Rektori Dema edhe një herë ua bëri me dije studentëve që ai do t’i qëndrojë pranë kërkesave të tyre, si dhe do përkrah idetë inovative të cilat do t’i shërbejnë studentëve të UP-së. “Ky vit do të jetë viti i cilësisë në Universitetin e Prishtinës. E këtë objektivë do ta arrijmë duke punuar ngushtë së bashku” u tha Dema studentëve përfaqësues të Parlamentit Studentor. Ai shtoi që studentët do të kenë përkrahjen e pa rezervë nga menaxhmenti i UP-së, sepse, siç tha ai, pa studentët, ky menaxhment as nuk mundet, por as nuk dëshiron që të funksionojë. Dema, ndër të tjerash, kërkoi nga studentët që të ndihmojnë në kryerjen e reformave në UP, të cilat fillimisht do t’u shërbejnë atyre, e me pas do influencojnë edhe në zhvillimin dhe të ardhmen e Kosovës.

Kryetar i Parlamentit Studentor, Muhamer Hamzaj falënderoi Rektorin për bashkëpunimin e deritanishëm. “Ne si Parlament, kemi qenë dhe po vazhdojmë të jemi konstruktiv, për të mirën e Universitetit, për të mirën e gjithë studentëve” potencoi ai.
Takimi ku prezent ishin edhe studentët Alketa Islami dhe Fisnik Dukolli vazhdoi me paraqitjen e disa ideve e planeve, të cilat Parlamenti Studentor së bashku me menaxhmentin e UP-së planifikon t’i realizojë së shpejti, ku ndër të tjerash është edhe krijimi i një parkingu për biçikleta për studentët e UP-së.