Certifikohen studentët përfitues të punës praktike përmes projektit REPOWER
Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, është mbajtur ceremonia e ndarjes së certifikatave për studentët e ciklit të pestë përfitues të punës praktike nga projekti i USAID-it REPOWER.
Në këtë ceremoni të certifikimit, të pranishmëve me fjalë rasti iu drejtua edhe prorektorja për buxhet dhe financa në UP, prof. dr. Myrvete Badivuku-Pantina, e cila i uroi studentët për përfundimin me sukses të punës praktike.
“Në emër të UP-së, i uroj studentët për përfundimin e sukseshëem të punës praktike, duke qenë e bindur që studentët përfitues kanë arritur të kaliten profesionalisht falë programit që Repower ka ofruar për ta, i cili njëherësh konsiderohet si një ndër më të mirët e viteve të fundit në leminë që i takon”, tha Prorektorja.
13 studentët nga UP-ja, të cilët u certifikuan nga ky projekt, ishin studentë nga fushat e inxhinierisë elektrike, kompjuterike, mekanike, nga fusha e ekonomisë si dhe ajo e juridikut.
Projekti REPOWER, nga i cili përfituan studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Rochester Institute of Technology (RIT), u ka dhënë mundësi studentëve që, për së afërmi, të njoftohen me proceset e punës brenda institucioneve të sektorit të energjisë në Kosovë.
Përmes marrëveshjeve dhe në partneritet me institucionet e sektorit të energjisë, Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe Operatorin e Sistemit të Transmisionit dhe të Tregut (KOSTT), projekti REPOWER ka zhvilluar programin e punës praktike me pagesë në një periudhë gjashtëmujore për studentët e pjesëmarrës në këtë program.