Mbahet ceremonia për ndarjen e certifikatave për studentët përfitues nga projekti REPOWER
Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, është mbajtur ceremonia e ndarjes së certifikatave për studentët përfitues të punës praktike nga projekti USAID Repower,
Ky projekt, nga i cili përfituan studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Rochester Institute of Technology (RIT), u ka dhënë mundësi studentëve që, për së afërmi, të njoftohen me proceset e punës brenda institucioneve të sektorit të energjisë në Kosovë.
Përmes marrëveshjeve dhe në partneritet me institucionet e sektorit të energjisë, Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe Operatorin e Sistemit të Transmisionit dhe të Tregut (KOSTT), projekti REPOWER ka zhvilluar programin e punës praktike me pagesë në një periudhë gjashtëmujore për studentët e pjesëmarrës në këtë program.
Në këtë ceremoni të certifikimit të ciklit të pestë të këtij projekti, të pranishmëve me fjalë rasti iu drejtua edhe prorektorja për buxhet dhe financa në UP, prof. dr. Myrvete Badivuku-Pantina, e cila i uroi studentët për përfundimin me sukses të punës praktike.
“Në emër të UP-së, i uroj studentët për përfundimin e sukseshëem të punës praktike, duke qenë e bindur që studentët përfitues kanë arritur të kaliten profesionalisht falë programit që Repower ka ofruar për ta, i cili njëherësh konsiderohet si një ndër më të mirët e viteve të fundit në leminë që i takon”, tha Prorektorja.
13 studentët nga UP-ja, të cilët u shperblyen me mirënjohje nga ky projekt, ishin studentë nga fushat e inxhinierisë elektrike, kompjuterike, mekanike, nga fusha e ekonomisë si dhe ajo e juridikut.