Certifikohen 46 auditorë të energjisë në Qendrën për Qëndrueshmëri dhe Energji të UP-së
46 auditorë të rinj të energjisë të trajnuar në Qendrën për Qëndrueshmëri dhe Energji të UP-së kanë marrë sot certifikatat nga rektori prof. Arben Hajrullahu dhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Këta auditorë energjie të gjeneratës së pestë të trajnimit nga Qendra për Qëndrueshmëri dhe Energji (QEQ) e UP-së, mes të cilëve 16 gra e vajza, u janë bashkuar tashmë 318 auditorëve tjerë të trajnuar më herët.
Në fjalën e tij para auditorëve të certifikuar, rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, i porositi ata që të mos kenë frikë në lidhje me vendet e punës, pasi kjo fushë i përket së ardhmes.
Rektori i garantoi auditorët dhe të pranishmit tjerë se të gjithë në Universitetin e Prishtinës, pavarësisht çfarë pozitash kanë, janë më se të gatshëm dhe më se të lumtur që po ndihmojnë zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Rektori Hajrullahu më tutje tregoi se njëra nga detyrat e para me të cilën është marrë që në fillim të mandatit të rektorit, ka qenë funksionalizimi i Qendrës për Aftësim dhe Inovacion në Energji, të themeluar në vitin 2024 nga ish-rektori Qerim Qerimi me përkrahjen e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC). Rektori Hajrullahu tha se shpreson që kjo qendër të nisë punën sa më parë, edhe pse fondet e MCC-së aktualisht janë në shqyrtim.
I pari i Universitetit të Prishtinës e theksoi se askush nuk duhet ta shohë Qendrën për Aftësim dhe Inovacion në Energji si dyfishim a konkurrencë të QEQ-it, por vetëm si plotësim të mozaikut të UP-së për kompetencë në UP, Kosovë e përtej në fushën e energjisë.
Gjatë ceremonisë së ndarjes së certifikatave për auditorët e energjisë, folën edhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe koordinatori i trajnimeve në QEQ të UP-së, prof. asoc. Dr. Bedri Dragusha.