Ambasadori i Hungarisë mëson për historinë, bashkëpunimet dhe synimet e UP-së
Ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Sh. T. László Dux, gjatë një vizite në Universitetin e Prishtinës u njoftua me të kaluarën, gjendjen aktuale dhe synimet për të ardhmen e universitetit.
Temë qendrore e takimit mes ambasadorit Dux dhe drejtuesve të Universitetit të Prishtinës ishte forcimi i bashkëpunimit me universitetet hungareze. Ambasadori u njoftua për memorandumet e mirëkuptimit të nënshkruara mes UP-së dhe universiteteve hungareze, derisa u bisedua edhe për gjetjen e fushave të përbashkëta të interesimit për partneritete të reja.
Palët u pajtuan se MoU-të janë thelbësore, por duhet të zbatohen me përmbajtje konkrete. Prorektorja Basha informoi ambasadorin se zbatimi i tyre ka nisur përmes kontakteve ndërmjet fakulteteve në kuadër të bashkëpunimeve të lidhura me Universitetet hungareze. Ambasadori Dux gjithashtu ofroi tërë ndihmën e tij për lehtësimin e kontakteve me institucione tjera hungareze të arsimit të lartë.
Në takim u fol edhe për mundësinë e organizimit të kurseve të gjuhës hungareze në Qendrën e Gjuhëve të Fakultetit të Filologjisë, ndërsa Universiteti Ndërkombëtar Veror i Prishtinës u pa si mundësi e mirë për ardhjen e profesorëve dhe studentëve hungarezë në Prishtinë. Në universitetet hungarezë studiojnë një numër i madh i studentëve kosovarë, ndërsa vazhdimisht ka bashkëpunime mes profesorëve të UP-së dhe atyre nga Hungaria.
Ambasadori László Dux erdhi në rektorat i shoqëruar nga atasheu për ekonomi dhe tregti në Ambasadën e Hungarisë në Kosovë, Áron Kerékgyártó, ndërsa të dy mysafirët u pritën nga rektori, prof. Arben Hajrullahu, prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, prof. Rozafa Basha dhe prorektori për kërkime shkencore, projekte dhe inovacion, prof. Avni Hajdari.
Në qershor të vitit 2025, Universiteti i Prishtinës nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me gjashtë universitete shumë të rëndësishme të Hungarisë.