Aktivitete dyditore për 56 vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës
Të enjten dhe të premten, më 12 e 13 shkurt 2026, Universiteti i Prishtinës me aktivitete të shumta do ta festojë përvjetorin e themelimit.
Të enjten, me fillim në orën 11:00, në amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare do të organizohet ceremonia solemne e diplomimit të doktorëve të rinj të shkencës. Këta doktorë, për herë të parë në histori të UP-së do të betohen me një tekst që afirmon vlerat më të larta akademike dhe etike të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor.
Të premten, në ditën më të rëndësishme të themelimit të universitetit më të madh, më të vjetër dhe më të suksesshëm të Kosovës e përtej, janë paraparë mirënjohje për dy universitete partnere, video-mesazhe e fjalime nga profesorë e studentë ndërkombëtarë dhe organizata studentore, nderime të punëtorëve të dalluar dhe profesorëve që dalin në pension, të shoqëruara edhe me program artistik të përgatitur nga profesorë të Fakultetit të Arteve.
Do të ketë edhe fjalime tashmë tradicionale të rektorit, partnerëve ndërkombëtarë dhe zyrtarëve institucionalë, derisa pritet të nënshkruhen edhe dy marrëveshje bashkëpunimi.
Ceremonia qendrore e 56 vjetorit të UP-së do të zhvillohet në amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare, me fillim në orën 11 e 30 minuta.
Kjo ditë e shënuar do të jetë moment reflektimi për kontributin historik, akademik dhe shoqëror të universitetit në ndërtimin e shtetit dhe zhvillimin e shoqërisë.
Universiteti i Prishtinës u themelua më 15 shkurt 1970 në një mbledhje solemne të Kuvendit të atëhershëm të Kosovës.