65 vjetori i Fakultetit Filozofik: Gjetja e vendit të shkencave humane në një botë që po ndryshon vazhdimisht

65 vjetori i Fakultetit Filozofik: Gjetja e vendit të shkencave humane në një botë që po ndryshon vazhdimisht

Administrator Administrator 30 tetor 2025 Arkivuar

Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës shënoi 65 vjet ekzistence me Konferencën Ndërkombëtare „Shkencat Shoqërore e Humane dhe Ndryshimi”. 

Institucioni i parë i arsimit të lartë në Kosovë që i parapriu krijimit të Universitetit të Prishtinës, me këtë konferencë shënoi historinë e tij të ndritshme dhe vuri bazat se nga duhet të shkojnë e si të zhvillohen tutje shkencat humane e shoqërore në kohën e inteligjencës artificiale dhe zhvillimeve të hovshme teknologjike. 

Fakulteti Filozofik u konstatua se duhet të jetë promotor i vyeshëm i mendimit kritik në Universitetit të Prishtinës, derisa ai u cilësua edhe si njëra nga shtyllat e shtetësisë së Kosovës. Upërmend edhe nisma e sotme në Senat për nderimin e ish-rektorit Ejup Statovci dhe aktivistit dhe ish-profesorit tëFShMN-së, prof. Eshref Ademaj. 

Gjatë kësaj ngjarjeje, të pranishmëve iu drejtuan rektori i UP-së dhe profesori shumëvjeçar i këtij fakulteti, prof. Arben Hajrullahu, dekani i Fakultetit Filozofik, prof. Bekim Baliqi dhe rektori i Universitetit të Tetovës, prof. Jusuf Zejneli.Konferenca, pas fjalëve përshëndetëse, vazhdoi me pjesën e saj tematike ku prezantimet e tyre i bënë akademikët e njohur prof.Rexhep Ismajli e prof. Muhamedin Kullashi. 

Pastaj një pikë artistike në klarinet dhe piano u ekzekutua nga profesorët e Universitetit të Prishtinës, Nezahate Shala-Zeka e Astrit Mustafa, ndërsa rektori i Universitetit të Tetovës ia dhuroi rektorit të UP-së një pllakë me figurën e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. 

Fakulteti Filozofik nderoi me mirënjohje edhe ish-profesorët e tij dhe dy nga liderët e jetës akademike, politike e shoqërore kosovare, Fehmi Aganin dhe Ukshin Hoti. 

Profesorë nga universitetet e rajonit, Evropës, shteteve tjera dhe Universitetit të Prishtinës me diskutimet, idetë dhe prezantimet në katër panele me tema të ndryshme edhe të enjten do të shfaqin pikëpamjet e tyre për zhvillimin e mëtutjeshëm të mendimit filozofik, politik e shoqëror.