Zhvillohet me sukses trajnimi treditor i udhërrëfyesve turistikë në Universitetin e Prishtinës
Më 29, 30 dhe 31 tetor 2025, Universiteti i Prishtinës nëpërmjet Divizionit për Zhvillim Akademik, Cilësi, Monitorim dhe Karrierë, në bashkëpunim me Asociacionin e Guidave Turistike të Kosovës (GUIDEKS), organizoi trajnimin treditor „Bazat e Profesionit të Udhërrëfyesit Turistik”.
Ky trajnim u zhvillua për 35 studentë të certifikuar që u pajisën me njohuri të thella teorike dhe praktike në fushën e udhërrëfimit turistik, duke përfshirë teknikat e udhërrëfimit dhe standardet profesionale të aplikueshme. Studentët vlerësuan këtë trajnim si një platformë informimi dhe frymëzimi, që ofron mundësi rrjetëzimi dhe shkëmbimi përvojash me udhërrëfyes me eksperiencë në Kosovë.
Trajnimi u realizua nga trajnerë të certifikuar të GUIDEKS, të njohur nga Federata Evropiane e Asociacioneve të Udhërrëfyesve Turistikë (FEG), si dhe profesionistë të fushave të lidhura me turizmin. Ligjëratat teorike u kombinuan me orë praktike në terren, ku studentët patën mundësi të aplikojnë direkt njohuritë e fituara.
Muhamet Hasani, drejtor i GUIDEKS, shprehu kënaqësinë e tij për trajnimin e studentëve. „Ky trajnim është një hap i rëndësishëm për promovimin e profesionit të udhërrëfyesit turistik në Kosovë. Ne besojmë fuqishëm se certifikimi dhe edukimi i gjeneratave të reja do të rrisë standardet profesionale dhe do të forcojnë turizmin lokal”, tha Hasani.
Enes Toska, trajner i GUIDEKS, lavdëroi përkushtimin e atyre që u trajnuan. „Përveç njohurive teorike, studentët patën mundësi të praktikojnë udhërrëfimin direkt në terren. Energjia dhe angazhimi i tyre kanë qenë të jashtëzakonshme dhe ky trajnim shërbeu si një eksperiencë reale profesionale”, tha Toska.
Prof. Artan Krasniqi, mësimdhënës në Fakultetin Filozofik, i cili ligjëroi në kuadër të trajnimit, theksoi se „Ky trajnim është një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit akademik dhe profesional. Për studentët, kjo është një mundësi për të kuptuar thellë rëndësinë e udhërrëfimit turistik dhe për të zhvilluar aftësi praktike që nuk mësohen vetëm në auditor”.
Në përmbyllje të trajnimit, studentët, me ndihmën e trajnerëve prodhuan një hartë turistike për kampusin universitar, duke ndihmuar në navigimin e vizitorëve dhe turistëve në këtë pjesë të qytetit. Harta në kualitet më të lartë mund të shkarkohet këtu: PR map UP GKS

Studentët e përfshirë u shprehën entuziastë për eksperiencën e fituar. Lorik Vokshi, student i Fakultetit të Arkitekturës, tha se trajnimi e ka motivuar për t’u angazhuar më tutje në fushën e turizmit. „Ky trajnim më dha njohuri të çmuara dhe një pasqyrë të qartë mbi sfidat dhe mundësitë e profesionit të udhërrëfyesit turistik. Jam i motivuar të vazhdoj të eksploroj këtë fushë dhe të kontribuoj në zhvillimin e turizmit në Kosovë”. Tha Vokshi.
Ndërsa Qëndresa Dili, studente e Fakultetit Filozofik në Departamentin e Sociologjisë, theksoi se „cKy trajnim nuk ishte vetëm një mundësi për të mësuar, ishte një përvojë që më preku shpirtin dhe më dha kurajë për të arritur më shumë. Uroj me gjithë zemër që rrugët tona të kryqëzohen sërish, në projekte të reja dhe momente të bukura, ku mund të ndajmë përsëri dije, buzëqeshje dhe inspirim”.
Universiteti i Prishtinës, në bashkëpunim me GUIDEKS dhe partnerë të tjerë, mbetet i përkushtuar për të ofruar mundësi profesionale dhe edukative që ndihmojnë studentët të zhvillohen në profesione të reja dhe të atraktive si ai i udhërrëfyesit turistik.
Ky aktivitet është mbështetur nga: GUIDEKS - Asociacioni i Guidave Turistike të Kosovës dhe KFC Kosova