“YogaUP”, aktiviteti që po promovon trup dhe mendje të shëndetshme
Qendra për Zhvillim të Karrierës e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ishte nikoqire e aktivitetit “YogaUP”. Ky aktivitet që synon promovimin e kulturës së trupit dhe mendjes së shëndetshme, planifikon të jetë tradicional dhe të mbledh rreth vetës sa më shumë studentë dhe staf të UP-së.
Pjesë e këtij sesioni të jogës ishte edhe prorektorja për zhvillim dhe cilësi e UP-së, prof. asoc. dr. Merita Berisha, e cila tha se të tilla aktivitete gjejnë bazën në Planin Strategjik të UP-së.
“Ky aktivitet hyn në kuadër të objektivave strategjike për krijim të nismave të qëndrueshme me karakter socializimi për studentët, pastaj nxitja e krijimit të klubeve të studentëve të cilat promovojnë jetën e shëndetshme në kampusin universitar dhe promovimi i platformës për një universitet të shëndetshëm” tha ajo.
Sesionin e sotshëm, Florentina Dushi instruktore e Joga-s nga BD Group Kosova, e bazoi në ushtrime të cilat përfshijnë kontrollin e frymëmarrjes, meditimin e thjeshtë dhe adoptimin e qëndrimeve specifike trupore, të cilat ofruan relaksim tek grupi pjesëmarrës.
Nën moton “Për një trup dhe mendje të shëndetshme!”, sesioni i jogës me studentë vazhdoi për një orë, duke ofruar ushtrime fizike për një trup të balansuar dhe sesion të meditimit për një mendje të shëndetshme.
Në këtë sesion të parë të jogës, përveç studentëve, morën pjesë edhe pjestarë nga stafi i UP-së.

