Vizita e tretë e ambasadorit të Austrisë në Rektorat: Vazhdon mbështetja e fuqishme për UP-në
Ambasadori i Austrisë në Kosovë, shkëlqesia e tij z. Georg Schnetzer, erdhi edhe sot në Universitetin e Prishtinës për të konfirmuar mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin e shkëlqyeshëm mes UP-së dhe shtetit e universiteteve austriake.
Pas takimit ku u diskutuan projektet e përbashkëta dhe angazhimet e dyanshme të së ardhmes, rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, bashkë me ambasadorin Schnetzer, vizituan bibliotekën austriake të vendosur në hapësirat e Fakultetit të Filologjisë së UP-së, të themeluar qysh në vitin 1997, përderisa studentët dhe profesorët e UP-së ishin të dëbuar nga objektet e tyre universitare.
Universiteti i Prishtinës me vite të tëra bashkëpunon me institucione të arsimit të lartë të Austrisë dhe shtetin austriak, në fushat e fuqizimit të legjislacionit, programeve të përbashkëta të studimit, shkëmbimit të studentëve e profesorëve dhe ndërkombëtarizimit.
Një pjesë e personelit akademik të UP-së që zhvillon aktualisht mësimdhënien dhe kërkimin shkencor në Universitetin e Prishtinës, ka studiuar në universitetet e Austrisë.
Universitetet austriake ishin të vetmet në Evropë që ua hapën dyert maturantëve kosovarë, duke ua mundësuar studimet me diploma të lëshuara nga autoritetet kosovare në vitet ’90.
Që nga nisja e mandatit të rektorit Hajrullahu, ambasadori Shchnetzer vizitoi Universitetin e Prishtinës edhe dy herë të tjera, më 15 nëntor të vitit 2024 dhe më pas edhe më 14 mars 2025 kur përuroi sheshin „Erhard Busek” brenda hapësirave të UP-së.