Vdiq Faik Hima, mjeku i njohur, profesori shumëvjeçar i Fakultetit të Mjekësisë në UP dhe folësi i parë televiziv shqiptar i Kosovës

Vdiq Faik Hima, mjeku i njohur, profesori shumëvjeçar i Fakultetit të Mjekësisë në UP dhe folësi i parë televiziv shqiptar i Kosovës

Administrator Administrator 8 shtator 2025 Arkivuar

Në moshën 83 vjeçare ka vdekur mjeku i njohur dhe profesori shumëvjeçar i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, Faik Hima. 

Duke e pritur me dhimbje të thellë këtë lajm të trishtë, rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu në emër të personelit akademik, administrativ dhe studentëve të UP-së ngushëllon familjen, të afërmit, miqtë, profesorët, kolegët dhe të gjithë të pikëlluarit nga kjo humbje e madhe. 

Faik Hima ishte mjek, internist, kardiolog, doktor i shkencave dhe njeriu që kontribuoi jashtëzakonisht shumë për mbarëvajtjen e punës në Fakultetin e Mjekësisë dhe sistemin shëndetësor të Kosovës. 

I lindur në Gjakovë në vitin 1942, profesori Hima Fakultetin e Mjekësisë dhe studimet pasdiplomike i kreu në Beograd, ndërsa doktoratën në Universitetin e Prishtinës. Gjatë vitit 1984 për tetë muaj qëndroi për specializim edhe në Qendrën për Sëmundje Kardiovaskulare “Texas Heart Institute” në Houston të ShBA-së. 

Doktori i nderuar ishte edhe prodekan i Fakultetit të Mjekësisë dhe shef i Katedrës së Mjekësisë Interne, ndërsa gjatë jetës e karrierës  rreth 80 punime shkencore. 

Përveç mjekësisë, prof. Hima bëri karrierë edhe në fushën e gazetarisë televizive, duke qenë spikeri i parë shqiptar i Televizionit të Prishtinës, kur ai funksiononte nga studioja në Beograd dhe njëri nga themeluesit e programit në gjuhën shqipe atje. 

Trashëgimia mjekësore dhe kulturore e mjekut Faik Hima do të jetojë ndër breza e do të kujtohet përgjithmonë. Falë tij dhe kolosëve tjerë të mjekësisë kosovare, shëndetësia e vendit i ka themelet e forta. Profesor Faik Hima la pas vetes gruan dhe dy fëmijë.