Vdiq artisti i njohur dhe profesori i Fakultetit të Arteve Enver Petrovci

Vdiq artisti i njohur dhe profesori i Fakultetit të Arteve Enver Petrovci

Administrator Administrator 22 shtator 2025 Arkivuar

Ka vdekur sot Enver Petrovci, artisti i njohur i filmit e teatrit dhe njëri nga themeluesit e Degës së Arteve Dramatike në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës. 

Lajmin për vdekjen e profesorit Petrovci e ka pranuar me dhimbje të thellë rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu. 

Duke vlerësuar lart angazhimin e jashtëzakonshëm të Enver Petrovcit në fushën e mësimdhënies dhe përgatitjes së aktorëve të ardhshëm dhe vetë rolet e papërsëritshme të artistit të madh në film e teatër, rektori Hajrullahu në emër të personelit akademik, administrativ dhe studentëve të UP-së ngushëllon familjen, të afërmit, miqtë, profesorët, kolegët dhe të gjithë qytetarët e Kosovës për humbjen e ikonës sonë kinematografike. 

Pa Enver Petrovcin dhe artistët tjerë të përmasave të tij nuk do të mund të paramendohej e as të ecte përpara aktrimi dhe industria filmike kosovare. 

Aktori që kreu shkollimin universitar në njërën nga qendrat universitare të ish-Jugosllavisë, duke arritur të jetë njëri nga artistët më të njohur të këtij shteti, u kthye në Kosovë në periudhën e rëndë të viteve ‘90 për të sfiduar kohën e aparteidit dhe largimit nga objektet universitare me përgatitjen e gjeneratave të reja të artistëve dhe bartjen e përvojës dhe dijes së tij te studentët e rinj. 

Enver Petrovci gjatë 71 vjetëve të kësaj jete luajti në teatër rolet e mbretërve të tragjedive shekspiriane dhe realizoi me shumë sukses karaktere komplekse në shumë filma të Kosovës dhe Shqipërisë. Do të mbahet mend përjetësisht për personalitetin e fuqishëm dhe të pamposhtur, pozitivitetin dhe mençurinë.