Vdiq akademik Nexhat Daci — Profesori shumëvjeçar i Universitetit të Prishtinës

Vdiq akademik Nexhat Daci — Profesori shumëvjeçar i Universitetit të Prishtinës

Administrator Administrator 1 janar 2026

Ka vdekur sot akademik Nexhat Daci, profesori i Universitetit të Prishtinës, ish-deputeti dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe njëri nga personalitetet e shquara të shtetndërtimit të Kosovës.

Lajmin për vdekjen e akademikut, profesorit, politikanit e atdhetarit Nexhat Daci e ka pritur me pikëllim të thellë dhe dhimbje rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu.

Duke vlerësuar lart angazhimin e Nexhat Dacit në jetën akademike të vendit dhe procesin e shtetformimit të Kosovës, rektori Hajrullahu për këtë humbje të madhe ngushëllon gjithë personelin akademik, administrativ dhe studentët e UP-së, familjen e të ndjerit, miqtë, të pikëlluarit dhe gjithë popullin e Kosovës.

Akademik Nexhat Daci që jetoi, punoi e la një trashëgimi të pasur për më shumë se 81 vjet, studimet themelore dhe ato pasuniversitare i kreu në Degën e Kimisë të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Beogradit, për t’i vazhduar më pas edhe në Ljèges të Belgjikës. Akademiku i nderuar pastaj doktoroi në Universitetin e Zagrebit, ndërsa studimet pasdoktorale i vazhdoi në Universitetin e Bradfordit të Britanisë së Madhe.

Nexhat Daci përvojën dhe dijen e tij i barti te breza të tërë të studentëve të Universitetit të Prishtinës, ku i kaloi të gjitha shkallët e mësimdhënies akademike, duke nisur punën si asistent, për ta vazhduar si ligjërues, profesor inordinar dhe nga viti 1984 si profesor i rregullt. Ai u bë anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës në vitin 1996, kurse ishte kryetar i saj gjatë dy mandateve 1999-2004 dhe 2018-2019. Që nga viti 2014 ishte anëtar edhe i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve.

Akademik Nexhat Daci nuk u ndal vetëm në karrierën e tij universitare e akademike. Ai u zgjodh deputet i Kuvendit të Kosovës në periudhën 2001-2011, derisa e drejtoi Kuvendin në vitet 2000-2004 dhe 2004-2006. Ai do të mbahet në mend si një njeri i matur, përafrues e bashkëpunues gjatë karrierës së tij akademike e politike.