Vajzat dhe gratë në akademi: Ende nuk është e hapur rruga drejt lidershipit
Në një tryezë të organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës dhe Zyra e „UN Women” në Kosovë u vlerësuan arritjet e grave dhe vajzave në akademi e shkencë, por u tha se ka shumë punë për të bërë që ato të ngjiten në pozita të larta vendimmarrëse.
Nikoqirja e konferencës, kryetarja e AShAK-ut, Justina Shiroka-Pula tha se talenti dhe potenciali i grave dhe vajzave ekziston, por rruga drejt lidershipit nuk është ende e hapur plotësisht. Ajo deklaroi se nuk ka mungesë të vajzave në shkencë, por mungesë të hapësirës për to. Pas fjalëve të akademikes Shiroka-Pula dhe aktivistes e ish-drejtueses së Zyrës së „UN Women” në Kosovë, Flora Macula, tryeza vazhdoi me panelet e saj.
Në një panel të drejtuar nga shefja e Zyrës së „UN Women” në Kosovë, Vlora Tuzi-Nushi, pjesë e të cilit ishin prorektorja për buxhet, financa dhe bashkëpunim me sektorin publik e privat, prof. Albana Berisha-Qehaja, prorektorja për ndërkombëtarizim dhe zhvillim akademik, prof. Rozafa Basha, profesoresha e parë e fushës STEM dhe kryetarja e Këshillit Kombëtar të Shkencës, Myzafere Limani, ish-anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Gjyljeta Mushkolaj dhe kryetarja e AShAK-ut, Justina Shiroka-Pula, të gjitha këto gra të shquara treguan rezultatet e punës së tyre dhe përballjen me mentalitetin patriarkal të vendit.
Prorektorja Albana Berisha-Qehaja tha se sidomos kohëve të fundit në Universitetin e Prishtinës janë bërë hapa të rëndësishëm për barazinë gjinore. E mori shembull përbërjen aktuale të Këshillit Drejtues që aktualisht nga nëntë anëtarë, gjashtë i ka gra. Gjithashtu në strukturën udhëheqëse janë tri prorektore gra dhe dy burra. Ajo u zotua që duhet çuar përpara misionin e përparimit të grave në shkencë e akademi, duke edukuar edhe djemtë dhe burrat rreth barazisë gjinore, në mënyrë që të ndryshojë mentaliteti.
Prorektorja Rozafa Basha tha se pavarësisht zhvillimeve pozitive, barazia gjinore duhet të jetë një proces i vazhdueshëm e jo një objektiv që arrihet vetëm një herë. Ajo theksoi se kjo barazi në UP nuk është agjendë anësore, por tregues i cilësisë së tij, relevancës shoqërore dhe seriozitetit duke treguar se aktualisht në universitet zhvillohen 17 kurse e lëndë në lidhje me barazinë gjinore.
Profesoreshave të para të Kosovës, Gjyldane Mulës, Afërdita Nura-Lamës, Esma Lleshi-Rugovës, Meleke Behluli-Nimanit dhe Salë Ahmetajt iu dhanë buqeta lulesh në shenjë falënderimi, ndërsa pikat artistike u ekzekutuan nga profesorët Lule Elezi, Arbënesha Grabovci-Nixha dhe Antonio Gashi.