UP synon thellim të bashkëpunimit me Universitetin e Ajova-s, takon një delegacion profesorësh të këtij Universiteti
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, i shoqëruar nga prorektorët, sekretari i përgjithshëm i UP-së dhe këshilltari i tij, priti në takim një delegacion profesorësh nga Ajova e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Thellimi i bashkëpunimit në mes të Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Ajovas ishte tema bosht e diskutimit në këtë takim.
Rektori Dema, në ketë takim, theksoi që UP-ja ka interesim për zhvillim të mëtutjeshëm të bashkëpunimit me Universitetin e Ajovas, veçanërisht në drejtim të funksionalizimit të programeve në gjuhën angleze në nivelin master dhe doktoratë.

Në anën tjetër, profesorët nga Ajova ishin kureshtarë për mundësinë e realizmit te një bashkëpunimi të ndërsjellë në drejtim të shkëmbimit të studentëve dhe profesorëve hulumtues, me interes të veçantë me Fakultetin e Edukimit.
Mirëpo, qëllimi kryesor i vizitës së delegacionit të Ajovas në UP është që të vlerësohen dhe identifikohen nevojat e sistemit të edukimit në Kosovë dhe të vendosen bazat për të zhvilluar një projekt-propozim i cili do të inicionte reforma të sistemit Kosovar të edukimit në këto fusha:
1. Zhvillimin e kompetencave të mësimdhënësve në mësimdhënien e vlerave demokratike dhe mbledhjen e rezultateve të angazhimit qytetar nëpërmjet kornizës së re të kurikulës fillore dhe të mesme kosovare;
2. Zhvillimin e metodave efektive pedagogjike për mësimin e kornizës përmes programeve të edukimit të mësuesve të Kosovës;
3. Të punuarit me Iowa Testing Program (ICT) dhe American College Testing (ACT) për të zhvilluar instrumente vlerësimi për matjen e të nxënit të nxënësve/studentëve në Kosovë; dhe
4. Krijimin e një qendre për hulumtime në arsimin e lartë në Kosovë.
