UP nënshkruan memorandum bashkëpunimi shkencor rreth misionit arkeologjik francez dhe kosovar

Administrator Administrator 13 qershor 2017 Arkivuar

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me Ambasadën e Francës në Kosovë dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit rreth misionit arkeologjik francez dhe kosovar në Kosovë.

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Prof. Dr. Marjan Dema nënshkroi këtë memorandum të bashkëpunimi, me anë të së cilit do të krijohen mundësi të shumta për studentët dhe stafin e Universitetit të Prishtinës në fushën e arkeologjisë.

Rektori Dema në takim me profesorin Christophe J. Goddard, udhëheqës i kërkimeve shkencore në Institutin e Arkeologjisë dhe Filologjisë për Vendet e Lindjes dhe Perëndimit dhe Vjollca Aliun, udhëheqëse e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, u shpreh shumë i lumtur që UP-ja po e nënshkruan këtë memorandum të bashkëpunimit. Rektori Dema tha që shpreson që ky memorandum, me vullnetin e të tri palëve, të vihet në jetë sa më shpejtë dhe t’u shërbejë studentëve dhe arkeologjisë së Kosovës.

Në anën tjetër, prof. Goddard u shpreh shumë i lumtur për arritjen e këtij bashkëpunimi. Ai në emër të drejtorit të institutit që përfaqëson, tha që janë duke pritur me padurim për pranimin e studentëve të UP-së për shkëmbime dhe realizimin e programeve të përbashkëta paraparë me këtë memorandum.

Përmes këtij memorandumi të bashkëpunimit studentët dhe profesorët e UP-së do të përfitojnë mundësi të shumta për zhvillim profesional, duke përfshirë këtu shkëmbime semestrale, studime të plota për master dhe doktoraturë. Po ashtu, në kuadër të këtij projekti arkeologjik do të organizohen konferenca, seminare dhe punëtori në Francë, Kosovë ose në ndonjë vend të tretë. Kjo marrëveshje po ashtu inkurajon botime të përbashkëta ndërmjet palëve, veçanërisht lidhur me promovimin e arkeologjisë në Kosovë.