UP-ja trajnon vullnetarët e linjës së ndihmës psikologjike

Administrator Administrator 15 prill 2020 Arkivuar

Departamenti i Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” do të ofrojë të gjithë aspektet e punës profesionale në linjën e ndihmës psikologjike për qytetarët, që do të funksionalizojë së shpejti Ministria e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës.

Kjo linjë ka për qëllim të ndihmojë telefonuesit, që ta kalojnë sa më lehtë kohën në izolim dhe të ofrojë këshillim për problemet eventuale shoqëruese të natyrës së shëndetit mental.

Lidhur me këtë, UP-ja ka mbajtur sot trajnim për psikologët vullnetarë, në kuadër të përgjegjësive të departamentit për rekrutim, trajnim dhe mbikëqyrje të vullnetarëve që do të ofrojnë përkrahje psikologjike përmes telefonit gjatë pandemisë COVID-19..

Trajnimin e hapi Dr. Fitim Uka, i cili informoi psikologët vullnetarë për planin për organizimin e punës dhe funksionalizimin e kësaj linje, ndërkaq Prof. ass. Liridona Jemini – Gashi, shefe e Departamentit të Psikologjisë, përshëndeti të pranishmit dhe i vlerësoi ata për vullnetarizmin e tyre. Trajnuesit ishin Prof. asoc. Aliriza Arënliu, Prof. asoc. Dashamir Bërxulli, Prof. asoc. Zamira Hyseni - Duraku, Dr. Fitim Uka, Ass. Jon Konjufca dhe Bind Skeja nga “Linja e jetës”.

Departamenti i Psikologjisë në UP, që nga përhapja e pandemisë COVID-19, ka kontribuar edhe me shkrime autoriale, si dhe ka lansuar faqen shendetimendor.uni-pr.edu, e cila ofron video psikoedukuese për shëndetin mendor dhe ruajtjen e tij gjatë pandemisë COVID-19.

Universiteti i Prishtinës, së bashku me stafin dhe studentët, mbetet i përkushtuar të ndihmojë qytetarët në ruajtjen e shëndetit të tyre, familjes dhe me këtë të kontribuojë në shëndetin e komunitetit në përgjithësi.