UP-ja SHPËRBLEN ME MIRËNJOHJE STUDENTET PJESËMARRËSE NË KAMPIONATIN BOTËROR TË KARATESË
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka pritur sot, me ceremoni solemne, studentet pjesëtare të ekipit përfaqësues të Kosovës në Kampionatin e 24-të Botëror të Karatesë për Seniorë, të mbajtur në Madrid të Spanjës, në periudhën 6 - 11 nëntor 2018.
Studentet Fortesa Orana, Adelina Rama dhe Diellza Dragusha patën paraqitje të shkëlqyer, duke u renditur në vendin e 7-të në garën grupore, në mesin e 131 shteteve pjesëmarrëse në këtë kampionat.
Për këtë sukses, ekipi përfaqësues u shpërblye me mirënjohje nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Prorektori për mësim dhe çështje të studentëve, prof. dr. Hysen Bytyqi, u shpreh krenar për përfaqësimin dinjitoz të studenteve të UP-së në këtë kampionat.
“Përfaqësimi juaj në Kampionatin Botëror të Karatesë shënon një rezultat të jashtëzakonshëm për Universitetin e Prishtinës dhe për vendin tonë. Është privilegj të kemi studente të tilla në kuadër të universitetit,” tha Bytyqi.
Ndërkaq, dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, prof. asoc dr. Musa Selimi, i përgëzoi studentet përfaqësuese në këtë kampionat, teksa e falënderoi Rektoratin për mbështetjen që i ka dhënë në vazhdimësi Fakultetit të Edukimit dhe Sportit Fizik.
Edhe studentet fituese u shprehen të lumtura me suksesin e tyre. Fortesa, Adelina dhe Diellza e falënderuan rektoratin, dekanin Selimi dhe organizatorët e tjerë për mbështetjen e dhënë, teksa ndanë me të pranishmit rrugëtimin e tyre deri te ky sukses. Studentet treguan se në garat ekipore që kanë zhvilluar gjatë kampionatit, ato kanë mundur dy shtete të mëdha, siç janë: Guatemala dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, para se të mposhten nga Japonia.