UP-ja shpërblen me mirënjohje për kontribut profesorin Moshe Landsman
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, ka pritur sot në takim profesorin Moshe Landsman, të cilin e shpërbleu me mirënjohje për kontributin e dhënë në UP. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe profesorët e Departamentit të Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës, prof. ass. dr. Liridona Jemini, njëherësh shefe e këtij departamenti, si dhe prof. asoc. dr. Aliriza Arënliu.
Dema e falënderoi profesorin Landsman për punën dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm që ka dhënë për Universitetin e Prishtinës, veçanërisht në themelimin dhe zhvillimin e Departamentit të Psikologjisë në UP.
“Kontributi i dhënë për universitetin është hap i rëndësishëm, mirëpo edhe ndjenja e të qenit falënderues është vlerë. Ne jemi duke e kultivuar këtë vlerë tek universiteti ynë dhe do të jemi përherë falënderues ndaj të gjithë miqve tanë që kontribuuan në ngritjen e UP-së, ashtu siç jemi shumë mirënjohës për punën tuaj këtu,” tha Dema.
Mirënjohës për këtë pritje ishte prof. Landsman, i cili tha se të punosh për Universitetin e Prishtinës ka qenë gjithmonë kënaqësi. Ai gjithashtu e përgëzoi Universitetin e Prishtinës për punën që po e bën në Departamentin e Psikologjisë, i cili, sipas tij, është duke shkuar drejt një zhvillimi çdo herë e më të madh.
Prof. Moshe Landsman, përveç themelimit të Departamentin të Psikologjisë, ka shërbyer në zhvillimin e kësaj dege si drejtor i projektit ndërkombëtar gjatë viteve 2000-2006. Përveç kontributit në Universitetin e Prishtinës, prof. Moshe Landsman ka punuar edhe në aspektin e ndërtimit të psikologjisë në Kosovën e pasluftës si dhe sa i përket gjendjes së arsimit të fëmijëve me aftësi të kufizuara në Kosovë.