UP-ja pjesë e organizimit të garës botërore “Inspireli Awards”
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është pranuar si bashkorganizator i garës studentore të arkitekturës “Inspireli Awards”. Kështu, studentët e Fakultetit të Arkitekturës në UP do të mund ta përfaqësojnë universitetin e tyre në këtë garë vjetore.
E kjo u bë e mundur falë iniciativës së Egzon Fekës, i cili përfundoi studimet themelore në Fakultetin e Arkitekturës në UP.
“Pas kërkesës sime që këtë bashkëpunim ta realizojmë me Universitetin e Prishtinës, Inspireli shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me UP-në, me ç'rast mua më emëruan edhe Inspireli Ambasador për vendet e Ballkanit”, tha Egzoni.
Ai thotë se me padurim pret që në këtë garë t’i takojë arkitektët e ardhshëm të Kosovës.
“Ndihem jashtëzakonisht mirë dhe mezi pres t’i takoj finalistët nga Universiteti i Prishtinës në Pragë. Besoj shumë se do të kemi finalistë nga Kosova edhe këtë vit”, theksoi Egzoni.
Ai fton studentët e UP-së që të dërgojnë sa më shumë punime universitarë në uebfaqën e Inspirelit,: www.inspireli.com.
“Inspireli Awards” është konkursi më i madh botëror i studentëve në arkitekturë, dizajn urban, peizazh dhe dizajn të brendshëm, i cili përfshin 136 vende nga e gjithë bota. Gara u mundëson pjesëmarrësve një forum për të krijuar lidhje me publikun e gjerë. Finalistët e kësaj gare marrin një certifikatë, me ç’rast pas diplomimit fitojnë të drejtën e anëtarësimit në institutin “AIA Continental Europe”.