UP-ja me ligjëratë historie për Jasharët e Prekazit
Në ditën e tretë të manifestimeve për Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Universiteti i Prishtinës, organizoi një ligjëratë të përgatitur nga anëtari i stafit akademik, Durim Abdullahu, me titull: “Jasharët e Prekazit dhe Epopeja e UÇK-së: Një skicë historike”.
Rektori i UP-së, z. Qerim Qerimi, bëri hapjen e këtij aktiviteti, në të cilin të pranishëm ishin edhe: ministri i Mbrojtjes në Republikën e Kosovës, z. Armend Mehaj, oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, personel akademik dhe studentë. Ai u shprehu mirëseardhje të pranishmëve teksa tha: “Kam kënaqësinë më të madhe t'ju mirëpres të gjithëve në ligjëratën e sotme të historisë për një ndodhi historike me vlera e pasoja të pamatshme për historinë e Kosovës”.
Rektori vuri në pah edhe rëndësinë e shumfishtë të kësaj ligjërate. “Në një kuptim institucional, ne duam të shpërfaqim kujdesin e duhur institucional për të kaluarën tonë historike. Në kuptim intelektual, ne manifestojmë mirënjohjen ndaj një ndodhie me pasoja vendimtare për aspiratën tonë kolektive të lirisë dhe mëvetësisë. Në dimensione të tjera humane, ne kujtojmë sakrificën më supreme të Familjes Jashari dhe heroizmin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në një pamje më të gjerë historike, ne pra kujtojmë rëndësinë e kësaj sakrifice në arritjen e asaj që për shumë vende e popuj është provuar të jetë iluzore ose thjesht e pamundur, një mësim që është ngulitur në vetë strukturën e historisë së Kosovës” tha Qerimi.
Në vijim të aktivitetit, autori i kësaj ligjërate, Durim Abdullahu, shpjegoi nëpërmjet më shumë se 100 fotografish një kronologji të historisë së Jasharëve të Prekazit, nga gjenealogjia e familjes te aktivitetet e hershme politike si dhe nga grupet e para të armatosura te të tria sulmet mbi Prekaz. Kjo ligjëratë erdhi në kuadër të punës akademike të Abdullahut për studimin e historisë dhe trashëgimisë së luftës së Kosovës.

