UP-ja implementon me sukses mësimin virtual

UP-ja implementon me sukses mësimin virtual

Administrator Administrator 27 mars 2020 Arkivuar

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, që nga 16 marsi, ka lansuar mësimin virtual për të gjithë studentët e tij, nëpërmjet platformave të “G Suite for Education”, në të cilën UP-ja ka qasje si institucion.

Në periudhën kohore 16 – 26 mars 2020, gjatë së cilës Universiteti i Prishtinës është duke implementuar procesin e mësimdhënies në distancë, numri i vijuesve të orëve mësimore në distancë përmes platformës Google Hangouts Meet ka qenë 15,853 studentë (të ndryshëm). Gjatë së njëjtës periudhë, numri i mësimdhënësve të ndryshëm, të cilët kanë organizuar këto orë mësimore, ka qenë 1,057 staf akademik (të ndryshëm).


Shifrat e paraqitura më lart dëshmojnë interesim dhe pjesëmarrje të jashtëzakonshme të stafit dhe studentëve në mësim virtual. Kohëzgjatja e ligjëratave dhe oraret kanë qenë të njëjta, gjë që e bën këtë formë të komunikimit një mënyrë të suksesshme për vijim të mësimdhënies në kohën kur COVID-19 është shpallur pandemi dhe organet kompetente zyrtare kanë marrë vendim për mbyllje të institucioneve arsimore.

Përjashtim nga mësimi në distancë, i obligueshëm, bën stafi akademik i Fakultetit të Mjekësisë, i angazhuar me punë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në Institutin e Shërbimit Publik të Kosovës apo në qendrat tjera spitalore.

Universiteti i Prishtinës thekson thirrjet që të respektohen me përpikëri vendimet mbrojtëse nga pandemia COVID-19, të marra nga organet zyrtare, duke pasur kujdes të shtuar drejt mbrojtjes së shëndetit të vetvetes, familjes dhe shoqërisë.