UP-ja i bashkohet fushatës “16 ditët e aktivizimit kundër dhunës gjinore”

UP-ja i bashkohet fushatës “16 ditët e aktivizimit kundër dhunës gjinore”

Blerta Dibrani 8 dhjetor 2022 Arkivuar

Në ambientet e Universitetit të Prishtinës është organizuar sot aktiviteti i radhës në kuadër të fushatës së vetëdijesimit “16 ditët e aktivizimit kundër dhunës gjinore”.

Ky aktivitet, i organizuar nga UP-ja dhe i përkrahur nga Ministria e Drejtësisë, shënon përpjekjen e radhës të UP-së, për të kontribuar në fushën e barazisë gjinore, pas aktiviteteve sensibilizuese të organizuara në kuadër të Rregullores për parandalimin dhe mbrojtjen nga ngacmimi seksual dhe nga ngacmimi në UP.

Për rektorin, prof. dr. Qerim Qerimin, ky organizim lidhet ngushtë me misionin human dhe funksionin e pazëvendësueshëm shoqëror të UP-së. “Propozoj ta shohim këtë ndodhi të sotme si manifestimin më të natyrshëm dhe të domosdoshëm të rolit qendror të institucioneve të arsimit të lartë në modelimin e vlerave shoqërore dhe pozicionit udhëheqës të këtij universiteti”, tha ai. Rektori Qerimi shtoi që “rikthimi i jetëve të humbura është i pabëshëm, andaj kemi detyrë të nxjerrim mësime dhe bëjmë veprime që pamundësojnë ripërsëritjen e veprimeve tragjike dhe që në cilëndo rrethanë i kontribuojmë ndërtimit të një kulture sociale, ku të tilla fenomene si dhuna në familje, dhuna kundër grave dhe vajzave dhe dhuna me bazë gjinore si tërësi, jo vetëm që nuk janë të pranishme, por as të konceptueshme si probabilitet imagjinar”.

E presidentja e vendit, SH. S. Vjosa Osmani, ftoi për aleancë në mes të gjithë komunitetit dhe institucioneve për luftimin e pabarazisë gjinore dhe fenomeneve të ndërlidhura me të, teksa thekoi që roli i institucioneve arsimore në këto rrethana është i pazëvendësueshëm. “UP-ja, si institucion publik që ka pasur rol historik në çdo sfidë kombëtare e shtetërorë, uroj ta drejtojë timonin edhe në këtë sfidë emergjente, duke e udhëhequr komunitetin akademik drejt një angazhimi të vazhdueshëm e të qëndrueshëm drejt hulumtimit të fenomeneve që janë shqetësuese dhe të dhimbshme në ditët tona”, theksoi presidentja Osmani.

Të pranishmëve në këtë aktivitet iu drejtua edhe ministrja e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu. Ajo tha që në shoqërinë tonë ka mungesë të debatit për dhunën në baza gjinore dhe në këtë drejtim, më së miri mund të kontribuojnë studentët dhe UP-ja si institucion. “Edukimi dhe emancipimi shoqëror është rol i të gjithëve, veçmas i UP-së, çerdhe kjo e cila ka mundësuar progres të jashtëzakonshëm në shoqëri, në ngritjen dhe fitoren e kauzave të shumta që i kanë dhënë prosperitet vendit tonë”, tha Haxhiu.

Në anën tjetër, shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë, z. Frank Power, shpalosi një sërë aktivitete që janë duke ndërmarrë, ndërkaq foli edhe për bashkëpunimin që kanë me Fakultetin Juridik të UP-së në projekte që adresojnë problemet me barazinë gjinore.

Aktiviteti sensibilizues, i organizuar nga UP-ja, ka vijuar me fjalën e znj. Anita Çavdarbasha, zëvendëse e Avokatit të Popullit, dhe me ligjëratat nga profesoreshat e UP-së, prof. asoc. dr. Vjollca Krasniqi, studiuese e barazisë dhe studimeve gjinore, dhe prof. asoc. dr. Remzije Istrefi, studiuese e të drejtave të njeriut. Ligjëratat janë pasuar me diskutime të shumta nga studentët dhe të pranishmit e tjerë.