UP-ja hap konkurs për drejtor dhe zyrtar të Auditimit të Brendshëm
Universiteti i Prishtinës ka hapur konkurs për drejtor dhe zyrtar në Departamentin e Auditimit të Brendshëm.
Kandidatët që aplikojnë për pozitën e drejtorit në këtë departament, duhet të kenë diplomë universitare nga Fakultetit Ekonomik, me specializim në financa dhe/ose kontabilitet, nga Fakulteti Juridik a Administrata Publike, me të paktën 240 kredi ECTS ose të kenë të kryera studimet master në të njëjtën fushë me ato bachelor.
Për këtë pozitë të drejtuesit të mesëm kërkohen pesë vjet përvojë pune, tri nga të cilat në pozita menaxheriale, certifikata e auditimit e lëshuar nga organi kompetent, shkathtësi hulumtuese, analitike e vlerësuese dhe njohuri për formulim të rekomandimeve dhe dhënien e këshillave profesionale.
Konkurruesit për zyrtar të Auditimit të Brendshëm duhet të kenë diplomë universitare nga Fakulteti Ekonomik, me specializim në financa dhe/ose kontabilitet ose të kenë përfunduar studimet në Fakultetin Juridik ose Administratë Publike. Ata duhet të kenë tre vjet përvojë pune, licencë auditimi e shkathtësi hulumtuese, analitike e vlerësuese dhe njohuri për formulim të rekomandimeve dhe dhënien e këshillave profesionale.
Të interesuarit për këto pozita mund ta shkarkojnë formularin e aplikimit nga uebfaqja zyrtare https://dokumente.uni-pr.edu/tjera(kërkesa për punësim) ose atë ta marrin në objektin e Rektoratit të UP-së, te Zyra numër 18 për Arkiv dhe Protokoll. Formularit duhet t’ia bashkojnë CV-në, kopjen e diplomës, certifikatën profesionale të auditimit, dëshmitë për përvojën e punës, kopjen e letërnjoftimit, ekstraktin origjinal të lindjes dhe vërtetimin origjinal nga gjykata se nuk janë të dënuar për vepra penale.
Dokumentet e kompletuara sipas konkursit dorëzohen po në këtë zyrë gjatë orarit të punës, prej orës 8:00 deri në 16:00. Konkursi është i hapur nga 15 maji deri më 15 qershor 2026.
Konkursin e plotë për dy pozitat e hapura, mund ta gjeni në vegëzat në vijim:
Konkursi për drejtor të Departamentit të Auditimit të Brendshëm
Konkursi për zyrtar të Auditimit të Brendshëm
Universiteti i Prishtinës siguron të gjithë aplikantët se është punëdhënës i drejtë dhe i përgjegjshëm që vepron gjithnjë në bazë të meritokracisë, transparencës dhe normave e procedurave të përcaktuara gjatë përzgjedhjes së personelit.